Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit 2024 janë miratuar gjithsej 354 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 361 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar kështu një rënie prej 1.9% në terma vjetorë, ndërkohë që krahasuar me tre muaj më parë kjo shifër nuk ka ndryshuar.

Por, edhe pse me rënie të numrit të lejeve, të dhënat tregojnë se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2024 është 814,340 metra katrorë, nga 455,181 metra katrorë miratuar në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rritje prej 78.9 %.

“Scan Intel” është përqëndruar në analizën sipas qarqeve duke u fokusar tek numri i lejeve, por edhe tek sipërfaqja e miratuar. Nga të dhënat vihet re një rritje e konsiderueshme e lejeve të ndërtimit në qarkun e Elbasanit me 72.2%. Ndjek në radhë me rritjen më të lartë qarku i Vlorës me 58.3%, pasuar nga Shkodra dhe Tirana me 44.4% dhe 34% respektivisht.

Ndër qarqet që kanë shënuar rënie të numri të lejeve përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti, krahasuar me të njejtë periudhë të një viti më parë janë Kukësi, Korça, Durrësi, Berati dhe Fieri.

Por çfarë ka ndodhur me sipërfaqen e lejve të miratuara?

Të dhënat e INSTAT flasin për një rritje të sipërfaqes së lejeve miratuar për ndërtesa të reja në gjysmën e qarqeve të vendit, ndërkohë që në gjashtë të tjera regjistrohet rënie. Elbasani është sërish qarku që kryeson me rreth 15 mijë metra katror sipërfaqe të miratuar në tremujorin e tretë, me një rritje prej 139%.

Në kryeqytet vlera e sipërfaqes së miratuar arrin në rreth 684 mijë metra katror, ose me një rritje prej 108% përgjatë një viti. Që nga muaji Janar dhe deri në muajin Shtator të këtij viti në Tiranë janë dhënë gjithsej sipërfaqe leje ndërtimi prej 1.58 milionë metra katrorë.

Në Vlorë, Shkodër, Gjirokastër dhe Fier është regjistruar po ashtu rritje e sipërfaqjes së lejeve të ndërtimit të miratuar për ndërtesa të reja.