Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se një avion ukrainas ka goditur dy shënjestra në një qytet në rajonin ukrainas të Luhanskut, që është nën kontrollin rus. Sulmi, sipas Rusisë është bërë me raketat e llojit Storm Shadow, që Britania i ka dhënë Kievit.

Këto pretendime të ministrisë ruse nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Më 11 maj, Britania u bë shteti i parë që tha se ka nisur ta furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi, që do t’i lejojnë Kievit të kryejë sulme ndaj trupave ruse dhe ndja depove të furnizimeve që gjenden prapa vijave të fronit, teksa Kievi po përgatitet për një kundërofensivë të madhe.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se këto lloje raketash do të përdoren brenda territorit ukrainas, duke lënë të kuptohet se ka marrë garanci nga Kievi se ato nuk do të përdoren për shënjestra brenda kufijve të Rusisë, të pranuar ndërkombëtarisht.

Ministria ruse tha se raketat goditën një fabrikë që prodhon polimer dhe një fabrikë për përpunimin e mishit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, sulmet ndodhën më 12 maj.

“Raketat Storm Shadow, që Kievi ka marrë nga Britania janë përdorur për sulmin, në kundërshtim me deklaratat e Londrës se këto armë nuk do të përdoren ndaj shënjestrave civile”, tha ministria ruse.

Në deklaratë u tha po ashtu se Rusia ka rrëzuar dy avionë luftarakë ukrainas – të llojeve Su-24 dhe MiH-29 – që kishin kryer sulme me raketa.

Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë pretendoi se forcat ruse kanë marrë kontrollin edhe të një qarku tjetër në qytetin lindor të Bahmutit, të cilin Moska po tenton që ta marrë nën kontroll për më shumë se dhjetë muaj./REL/