TIRANË – Kjo e martë është një ditë e shënuar për Shqipërinë dhe rëndësinë e saj në rajon, por edhe më gjerë. Sot në kryeqytet do të mbahet takimi i nivelit të lartë mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor duket se është kthyer në një çështje primare të bllokut, kjo për shkak të agresionit të Rusisë mbi Ukrainë dhe rritjes së tensioneve.

Ky takim do të jetë një ditor, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një moment historik për vendin tonë. Rama shtoi se takimi njëditor është tregues i interesit gjeostrategjik që Evropa ka ndaj rajonit. Megjithatë i pari i qeverisë nuk i ka kursyer edhe kritikat për BE, për zvarritjen e procesit të zgjerimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballuar prej vitesh me një ngecje të këtij procesi.

Në të njëjtën ditë që mbahet takimi i nivelit të lartë mes udhëheqësve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, opozita ka paralajmëruar organizimin e një proteste. Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, deklaroi sot se manifestimi organizohet në mbrojtje të vlerave europiane, të cilat sipas tij, po rrezikohen dhe po kërcënohen nga kreu i qeverisë.

“Nesër është dita e qytetarëve që aspirojnë për liri, dinjitet dhe transparencë. Është dita e shqiptarëve që besojnë se Shqipëria është një tokë e bekuar, që me mirësitë dhe rezervat e saj, mund të begatojë kombin. Me kushtin e vetëm, të ketë një qeverisje demokratike. Me kushtin e vetëm të ketë një qeveri të palidhur me krimin, siç është qeveria e Edi Ramës”, tha zoti Berisha.

Opozita ka kërkuar që të protestojë përpara Kryeministrisë. Por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga policia, sipas së cilës kjo zonë është pjesë e perimetrit të sigurisë për takimin e nivelit të lartë.

about:blank

“Siguria e 32 delegacioneve shtetërore me udhëheqësit e tyre nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve të lartë të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vendosim sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, mbi dëshirën gjeografike për të protestuar”, deklaroi një ditë më parë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku. Ai tha se opozita është e lirë të zhvillojë protestën e saj, në çdo zonë tjetër jashtë atij që konsiderohet si perimetër sigurie.