Serbia ka kërcënuar me kthim të ushtrisë në territor të Kosovës. Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Serbia po shqyrton mundësinë që t’i çojë 1000 forca të sigurisë në territor të Kosovës, pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi praninë në veri të vendit.

Në një konferencë për media të enjten në mbrëmje, Petkoviqi ka thënë se në veri janë aktualisht 300-350 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, përfshirë pjesëtarë të njësisë speciale, edhe pse kjo është demantuar nga institucionet e Kosovës, transmeton “N1”.

Ai ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për “veprime të dhunshme”, e “tentim okupimi të veriut”, duke thënë se “Beogradi do ta konsiderojë kthimin e deri 1000 forcave të sigurisë në territor të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244, në veçanti neni 4 i kësaj rezolute dhe neni 6 i aneksit të dytë”.

Petkoviqi, në konferencën në Beograd, ka thënë se “Perëndimi dhe Prishtina” duhet ta kuptojnë se çka ka dashur të thotë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur është shprehur se “s’do të lejojë më kurrë një ‘Stuhi’ tjetër”. Sipas tij, Qeveria e Kosovës po “i bën të vuajnë serbët”.

Të enjten, Policia e Kosovës rriti praninë në veri, pas sulmeve që u bënë në komunat veriore në dy ditët e fundit, teksa zyrtarët komunalë të zgjedhjeve tentuan t’i hapin zyrat e tyre në këto komuna në përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor. Ndërkaq, zgjedhjet për kuvendet komunale në komunat Zveçan dhe Leposaviq do të mbahen më 25 dhjetor.

Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se rritja e pranisë është bërë me qëllimin e ofrimit të sigurisë për qytetarët në veri.Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar zyrtarisht që këto zgjedhje të shtyhen, për shkak të sigurisë, ndërsa Sveçla ka thënë se një rekomandim për këtë çështje do të dalë së shpejti nga institucionet e sigurisë.