Kalvari i dëmtimeve të Sergio Ramos fillon t’i shqetësojë të gjithë në Paris. Qendërmbrojtësi andaluzian nënshkroi për dy sezone me PSG, por ende nuk ka qenë në gjendje të debutojë me parizienët. Sipas “Le Parisien”, nuk ka siguri se kur do të kthehet në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës, pasi shqetësimi i “soleus” vazhdon.

Rikuperimi i Sergio nuk po shkon mirë, as keq, por është i ngadalshëm. Ai ka një shqetësim në shpinë. Ramos nuk është mirë, PSG-ja e di këtë. Gjëja më e rëndësishme nuk është kur Ramos do të debutojë, sepse mund ta bënte që këtë fundjavë. Shqetësimi ka të bëjë me faktin se spanjolli duhet të jetë titullar te PSG dhe të luajë periodikisht. Askush në Paris nuk mund të thotë që nga 20 nëntori apo 1 dhjetori ai do të luajë rregullisht.

Ka shumë dyshime për lëndimin e ish-kapitenit të Real Madridit. Kjo situatë po e prek edhe emocionalisht, sepse Ramos ka qenë gjithmonë një person që është kujdesur maksimalisht për trupin. Shqetësimi i vërtetë që ka Sergio Ramos është se këmba e tij nuk i përgjigjet dhe nuk ka një datë të qartë kur mund të kthehet.

Që prej nënshkrimit për PSG-në në korrik, Ramos ende nuk e di se kur do të debutojë me ekipin e ri. Ai dëmtoi gjurin atë muaj, pastaj lëndoi “soleus”-in në gusht, që e ka mbajtur atë jashtë fushave deri më sot. Ndeshja e fundit që luajti ishte më 5 maj kundër Chelsea.