Kërcënimi se Rusia mund të përdorë potencialisht armë bërthamore taktike në Ukrainë nuk është diçka që mund të merret lehtë, tha të enjten drejtori i CIA-s William Burns, por ai shtoi se Uashingtoni nuk ka parë shumë prova praktike që e përforcojnë këtë shqetësim.

Këto janë disa nga komentet më të gjera që zoti Burns ka bërë publikisht që kur Rusia nisi sulmin në Ukrainë më 24 shkurt. Ato nënvizojnë shqetësimet se sulmi më i madh kundër një shteti në Evropë që nga viti 1945, rrezikon të përshkallëzohet në përdorimin e armëve bërthamore.

Gjatë një takimi, William Burns tha se duke patur parasysh dëshpërimin e mundshëm të Presidentit Putin mbi ecurinë e luftimeve, pengesat me të cilat trupat ruse janë përballur deri më tani, askush nuk mund ta marrë lehtë kërcënimin e paraqitur nga një përdorim i mundshëm i armëve bërthamore taktike.