Gjatë muajit korrik 2023, Policia ka finalizuar 119 operacione dhe megaoperacione policore, si dhe ka vënë në pranga 705 autorë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Njoftimi: Policia e Shtetit, gjatë muajit korrik 2023

Angazhim shumëdimensional i strukturave të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin, sigurinë publike, zbatimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik 2023.

Rezultate tejet pozitive gjatë muajit korrik 2023 janë arritur nga patrullimet e pandërprera, kontrollet në çdo skaj të vendit, shtimi i shërbimeve dhe i kapaciteteve logjistike, administrimi në kohë i inteligjencës policore, reagimi i menjëhershëm për kallëzimet e qytetarëve, hetimet e ndjekura me metoda proaktive, si dhe nga bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë.

Shërbimet e Rendit, Policia Kufitare, Njësia Policore Detare, Policia Rrugore dhe strukturat hetimore, gjatë këtij muaji, e kanë orientuar punën e tyre në 2 fokuse: rritjen e imazhit të vendit tonë, duke siguruar mbarëvajtjen e plotë dhe pa asnjë incident të sezonit turistik dhe goditjen e paligjshmërive në cilëndo formë të shfaqjes së tyre.

Gjatë muajit korrik 2023, Policia ka finalizuar 119 operacione dhe megaoperacione policore, si dhe ka vënë në pranga 705 autorë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Si rezultat i këtyre operacioneve dhe megaoperacioneve, janë asgjësuar mijëra fidanë dhe bimë kanabisi, si dhe janë sekuestruar 33 armë zjarri, 1 mitraloz i lehtë, 1 granatë, pjesë të armëve të zjarrit, 11 armë gjahu, rreth 2.5 kg kokainë dhe kanabis, si dhe mijëra doza të këtyre lëndëve narkotike.

Janë finalizuar 34 operacione kundër kultivimit të bimëve narkotike në territoret e 7 qarqeve të ndryshme.

Janë finalizuar 15 operacione të tjera kundër narkotikëve, të cilat goditën transportimin, shitjen dhe tentativën për të trafikuar (në doza, pako dhe sasi) lëndë narkotike kokainë dhe kanabis.

“Policia shkatërroi 7 grupe kriminale për krime të rënda kundër personit, shpërndarje të lëndëve narkotike, vjedhje me armë dhe me dhunë, falsifikim dokumentesh në një ambient të improvizuar si laborator, trafikim të mjeteve motorike drejt RMV-së, për mashtrim përmes një subjekti call center ose me qëllim përfitimin nga tatimi TVSH.

Gjithashtu, Policia iu sekuestroi këtyre grupeve, arsenalë armësh, drogë, para, automjete të blinduara, mjete ose pajisje me të cilat kryenin krimet dhe asete të tjera.

Njëri nga këto grupe që kishte kryer disa vrasje dhe kishte siguruar kushtet për kryerjen e disa të tjerave, u shkatërrua si rezultat i operacionit tejet kompleks të koduar “Metamorfoza”.

6 konflikte dhe ngjarje kriminale që mund të përshkallëzonin ose të kryheshin duke përdorur armë, u parandaluan në Lushnjë, Pogradec, Durrës dhe në Kurbin.

Në Lushnjë, operacioni “Zinxhiri” zbardhi një vrasje të kryer në vitin 2019, ndërsa operacioni “Pasoja e padëshiruar” zbardhi një tentativë vrasjeje, të kryer më 30 mars të këtij viti.

Operacionet ndërkombëtare “Rugantino” dhe “Castellon”, arrestuan në vendin tonë 3 shtetas që i fshiheshin autoriteteve të Italisë dhe Spanjës, të cilat i akuzonin si pjesëtarë të 2 organizatave ndërkombëtare për trafikimin e narkotikëve. Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me partnerët britanikë, u arrestua shtetasi i fundit i kërkuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

14 operacione të finalizuara kundër krimeve ekonomiko-financiare (2 prej tyre të njëpasnjëshme në portin e Durrësit) rezultuan me sekuestrimin e pasurive të paluajtshme me vlerë 10 milionë euro (me burim krimet në fushën e narkotikëve), 146290 eurove, 5548 kilogramëve veshje të kontrabanduara, produkteve ushqimore dhe farmaceutike që shiteshin ilegalisht, si dhe me bllokimin e disa llogarive bankare ku qarkullonin para të gjeneruara në kundërshtim me ligjin.

U finalizuan 22 operacione kundër vjedhjeve, të cilat parandaluan, goditën menjëherë pas kryerjes apo zbardhën raste të kësaj veprimtarie kriminale, si rezultat i besimit të qytetarëve dhe turistëve që denoncuan menjëherë te Policia e Shtetit. Operacionet vunë në pranga autorë dhe bashkautorë të këtyre rasteve, si dhe bënë të mundur sekuestrimin e shumave të konsiderueshme të parave dhe sendeve të tjera me vlerë të vjedhura, targave që do t’i shiteshin kontigjentit kriminal, automjeteve të autorëve dhe çelësave të klonuar.

Policia e Tiranës finalizoi 3 operacione me fokus goditjen e krimeve kompjuterike përmes platformave të ndryshme. Gjithashtu apeloi për qytetarët që të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm për të mos rënë pré e faqeve online që mashtrojnë me qëllim shitjen e produkteve të ndryshme.”
https://www.faxweb.al/shifra-te-frikshme-arsenale-armesh-droge-para-mjete-te-blinduara-705-persona-te-arrestuar-ne-korrik/#:~:text=Policia%20shkat%C3%ABrroi%207,produkteve%20t%C3%AB%20ndryshme.