Të paktën 18 njerëz kanë humbur jetën në Indinë perëndimore, si pasojë e  shirave të rrëmbyeshëm musone.

Reshjet e mëdha të shiut shkaktuan rrëshqitje dheu dhe përmbytje. Të paktën katër persona kanë humbur jetën, pasi u shemb një ndërtesë në Mumbai, ndërkohë 14 tjerë vdiqën nga rrëshqitjet e dheut, njoftojnë autoritete lokale.

 “Operacionet e shpëtimit po vazhdojnë punën  në zona të ndryshme në Satara, Raigad dhe Ratnagiri. Për shkak të shirave të mëdha dhe lumenjve të përmbytur, ne kemi vështirësi në transportimin e pajisjeve të nevojshme,” tha një zyrtar qeveritar.

Dhjetëra njerëz besohet të jenë bllokuar nga rrëshqitjet e dheut  në qytetet e Satara dhe Raigad, shtoi ai.

Qindra fshatra dhe dhjetëra qytete në zonat e prekura të Maharashtra nuk kanë energji elektrike ose ujë të pijshëm, tha një zyrtar tjetër shtetëror.

Gjatë sezonit të musoneve, i cili zakonisht zgjat nga qershori deri në shtator, shumë njerëz humbin jetën dhe të tjerët detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre çdo vit në Azinë Jugore. Sidoqoftë, gjatë kësaj periudhe regjistrohet 70% e reshjeve në Indi, e cila është kritike për bujqësinë.

ORA TV