Të paktën 64 persona kanë humbur jetën në Kili pasi zjarret në pyje kanë shpërthyer në të gjithë vendin, me autoritetet që paralajmërojnë se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet.
Është shpallur gjendja e jashtëzakonshme pasi qytetet bregdetare janë mbytur nga tymi dhe njerëzit që jetojnë në rajonet qendrore janë të detyruar të lënë shtëpitë e tyre.
Në një konferencë për shtyp të dielën e mbajtur pasi ai vizitoi zonat e prekura, presidenti Gabriel Boriç tha se numri i të vdekurve “do të rritet ndjeshëm” dhe shpalli të hënën dhe të martën si ditë zie kombëtare për viktimat e zjarrit.

Rodrigo Mundaca, guvernatori i rajonit Valparaiso, tha të dielën se autoritetet po mbanin një shtetrrethim në qytetet Viña del Mar, Quilpué, Villa Alemana dhe Limache për t’i lejuar autoritetet të përqendrohen në luftimin e flakëve.
Kryebashkiaku i Quilpué, Valeria Melipillán, i tha CNN Kili se zjarri ishte “ndoshta më i madhi ndonjëherë” në rajon dhe se rreth 1,400 shtëpi në komunë ishin dëmtuar. Melipillán shtoi se ndërsa përpjekjet për evakuim kishin qenë efikase, disa njerëz në zonat e prekura nuk donin të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Papa Françesku në një postim në ‘X’ u bëri thirrje njerëzve që të “luten për viktimat e vdekura dhe të lënduara nga zjarret shkatërruese që kanë prekur Kilin qendror”.
Në një deklaratë televizive të shtunën, Boriç tha se ministria e mbrojtjes do të vendosë më shumë njësi ushtarake në zonat e prekura, me të gjitha burimet e nevojshme të vëna në dispozicion.
Fenomeni natyror i klimës, El Ninjo, ka shkaktuar thatësira dhe temperatura më të nxehta se zakonisht përgjatë pjesës perëndimore të Amerikës Jugore këtë vit, duke e rritur rrezikun për zjarre pyjore.
