Gratë dhe të rinjtë do të kenë mundësinë të përfitojnë nga lehtësirat në taksa nëse zgjedhin të investojnë në strukturat e agroturizmit në vend.

Për të nxitur zhvillimin e sektorit, Ministria e Turizmit, synon që deri në 2027 të ndërmarrë një sërë hapash duke filluar, nga punësimi i të rinjve, por dhe përfshirja e grave: “Numri i grave biznesmene 55% brenda vitit 2027, numri i të rinjve biznesmenë 40% brenda vitit 2027 dhe miratimi i reduktimit të taksave për blerje të tokave nga të rinjtë dhe gratë janë lehtësirat që përfshihen në strategji”.

Si një hap pas zhvillimit të turizmit në vend, kjo veprimtari pritëse që zhvillohet në një fermë ose strukturë tjetër bujqësore, nëpërmjet strategjisë pritet të rrisë numrin e strukturave, shërbim më cilësor, digjitalizim dhe më shumë bashkëpunim bujqësi-turizëm.
Jonida Hëna, sipërmarrëse në agroturizëm, shprehet: “Agroturizmet punojnë në kushte të vështira dhe janë heronj që e bëjnë këtë gjë dhe ndihmojnë shumë në zhvillimin eekonomisë që t’i mbajnë nejrëzit në zonat rurale, të ketë një derë hapur në zonat e largëta”.

Referuar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, numri i strukturave të certifikuara të agroturizmit është 25, duke vënë në dukje që nuk është mjaft i përhapur. Por, sipas sipërmarrësve, ndër problematikat që hasin, janë mungesa e mbështetjes, por edhe infrastruktura që nuk i lejojnë të zhvillohen.

“Ne kemi kërkuar nga anëtarët e shoqatës të rendisnin problemet dhe infrastruktura është në vend të parë. Nga statistikat që kemi çdo agroturizëm ka 4-6 km rrugë shumë të keqe”, thekson Hëna.

Me publikimin e strategjisë, strukturat në vend zhvilluan një takim me ministren e Bujqësisë në Gjirokastër, ku u ra dakord për lehtësi të tjera: “Ka disa kufizime për subvencionet, sidomos te krerët. Ministrja sugjeroi bashkimin e fermerëve për të arritur numrin e krerëve dhe të jepen lekët. Gjithashtu, u ngrit problemi i subvencioneve të kuajve, të cilët edhe këta do të përfshihen”.

Kjo strategji deri në 2027 parashikon një ligj në agroturizëm, procedura të reja certifikimi, një portal të dedikuar për sektorin, por edhe më shumë subvencione.