Diogo Jota është shndërruar në një nga lojtarët kryesorë te Liverpool gjatë viteve të fundit. Sulmuesi portugez u bashkua me “The Reds” në vitin 2020 nga Wolverhampton për shumën e 45 milionë eurove dhe që nga ajo koha karriera e tij ka vetëm rritje.

25-vjeçari e ka nisur karrierën tek skuadra e vogël portugeze Gondomar ku ka kaluar të gjitha grupmoshat para se të bashkohet me Pacos Ferreira, pastaj edhe te Atletico Madrid, Wolverhampton e Liverpool.

Jota ka dhënë një deklaratë tejet interesante ku ka pranuar se ka paguar para në moshë të re për të luajtur tek të rinjtë e Gondomar.

“Kur isha 16 vjeç luaja për Gondomar. Më duhej të paguaja çdo muaj për të luajtur. Në fakt nuk paguaja unë, e bënin prindërit e mi. Ashtu ishin gjërat, duhet të paguaje para për të zbritur në fushë, në Portugali janë gjërat ndryshe krahasuar me Anglinë.

Vetëm kur u transferova te Paços Ferreira fillova të fitoja disa para. Gjithmonë kam punuar fort dhe jam përpjekur të arrija sa më shumë. Kur isha i ri nuk luaja me skuadra të mëdha. Shumë nga shokët e mi u transferuan te Porto dhe Benfica”, ka deklaruar Jota.

Gjithashtu sulmuesi portugez tha se në rinin e tij është konsideruar një lojtar normal dhe jo më i miri, por që mundësia që iu dha e shfrytëzoi në maksimum.

“Unë konsiderohesha një lojtar i mirë, por kurrë nuk kam qenë më i miri. Kur u paraqit mundësia, e shfrytëzova.

Mendoj se kur je i ri, je gjithmonë plot shpresë dhe besim për t’u bërë i suksesshëm, por nuk mendoja se do të arrija deri te Liverpooli”, u shpreh Jota. /f.a/abcnews.al