Të paktën 12 persona u plagosën nga shpërthimi që ndodhi sot në një kompleks banesash në Gaithersburg, Maryland .

Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës në Montgomery County tha se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 09:00 (ora lokale, 15:00 me orën shqiptare) dhe kur automjetet e para kanë shkuar në vendngjarje, ka shpërthyer një zjarr i madh.

Më shumë se 100 zjarrfikës u mobilizuan për të shuar zjarrin dhe për të liruar banorët.
Një pjesë e kompleksit të banimit është shembur nga shpërthimi i fuqishëm, shkaqet e të cilit mbeten të paqarta.

Dymbëdhjetë persona, përfshirë katër fëmijë, u plagosën. Dy të plagosurit janë dërguar në spital në gjendje të rëndë, sipas burimeve spitalore.