Policia e Durrësit ka dalë në njoftim zyrtar në lidhje me atentatin e ndodhur mesditën e sotme në zonën e Shkozetit, ku një sasi tritoli shpërtheu në gomën rezervë të mjetit që drejtohej nga shtetasi Aldi Mustafa.

Ky i fundit është person me precedentë penalë, dhe në momentin e shpërthimit, ka qenë duke udhëtuar i vetëm në mjetit e tij, ndërsa sipas policisë nuk ka mbetur i lënduar.

Mustafa, 37 vjeç, banues në Durrës, ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani. Arrestimi i fundit i Mustafës është bërë në vitin 2021.

Mustafa raportohet se ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa kohët e fundit ka pasur lidhje me ‘Rrumin’, një personazh i njohur dhe i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Mustafa është shok i Alekasandër Lahos, ose ndryshe Pëllumb Muharremit, i njohur si i ‘Forti i Shijakut’, i cili i shpëtoi atentatit që iu bë makinës së ish-prokurorit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 14:00, në aksin rrugor Shkozet – Durrës, në automjetin në lëvizje, që drejtohej nga shtetasi A. M., 37 vjeç (i vetëm në automjet), në gomën e pasme, në krahun e pasagjerit, dyshohet se ka shpërthyer lëndë eksplozive.

Nga shpërthimi i lëndës eksplozive nuk ka persona të dëmtuar, por vetëm dëme materiale.

Në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.