Shqipëria u rendit e parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Maltën për shërbimet e dobëta në kujdesin shëndetësor sipas indeksit që ndërtoi data baza e të dhënave mbi kualitetin e jetës “Numbeo” për vitin 2022.

Shqipëria u vlerësua me vetëm 50.5 pikë për cilësinë e shërbimeve dhe 87.9 pikë për shpenzimet me të cilat përballen qytetarët.

Kualiteti i shërbimeve në shëndetësi vlerësohet me një sistemin vlerësimi ku niveli i ulët tregon rezultatet të dobëta dhe vlerat e të larta cilësi më të mirë të shërbimeve shëndetësore.

Në rajon Shqipëria u rendit e fundit si për indeksin e shërbimeve dhe atë të shpenzimeve buxhetore krahasuar me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën (shiko Grafikun bashkëngjitur), Kosova dhe Mali i Zi nuk ishin të përfshira në këtë indeks.

Në botë, Tajvani, Koreja e Jugut, Japonia, Franca, Danimarka u renditën në krye të listës për vlera të larta të cilësisë së shërbimeve dhe shpenzimeve për shëndetësinë, ndërsa renditjen më të dobët e kishin, Venezuela, Bangladeshi (në fund të listës) dhe më tej Iraku, Azerbajxhani, Malta, Bjellorusia, Maroku, Egjipti, Nigeria, Kamboxhi.

“Numbeo” sqaroi se Indeksi i Kujdesit Shëndetësor është një vlerësim i cilësisë së përgjithshme të sistemit të kujdesit shëndetësor, profesionistëve të kujdesit shëndetësor, pajisjeve, stafit, mjekëve, kostos, etj.

Nga të dhëna më të detajuara të indeksit në Shqipëri rezultoi se vlerësimin më të e lartë e kanë marrë afërsia gjeografike e shërbimeve shëndetësore me 66 pikë dhe aftësitë e doktorëve me 54,3 pikë, ndërkohë që pikët më të ulëta kanë marrë cilësia e dobët e pajisjeve mjekësore, koha e pritjes dhe kosto e shërbimeve.