Snapchat krijoi formatin Stories për shpërndarjen e fotografive dhe videove që zhduken pas 24 orësh. Tashmë kompania, së bashku me Facebook, po tregojnë se e ardhmja e rrjeteve sociale po duket gjithnjë e më e ngjashme me TikTok.

CEO i Snapchat, Evan Spiegel, tha se po shpenzohet gjithnjë e më pak kohë në shikimin e Stories nga miqtë në aplikacion, dhe pse kompania po shpresonte se ndërveprimi me stories do të rritej për shkak të kufizimeve të pandemisë. Në të vërtetë fokusi i përdoruesve është shtyrë drejt shërbimit të ri të quajtur Spotlight, tepër i ngjashëm me TikTok, ku publikohen video virale të krijuesve më të mirë në botë.

Kjo është një vazhdimësi e një trendi që ne e kemi vënë re gjatë pandemisë, ndërkohë që komunikimi përmes stories nuk është rikthyer në nivelet pre-pandemike.” tha Spiegel në komentet e tija për investitorët. “Ndërkohë që ne shpresojmë se komuniteti do të rikthehet në “veset” e vjetra të komunikimit përmes stories, ne po përgatitemi në ofrimin e përmbajtjeve që i përshtaten komunitetit tonë.”

Nga ana tjetër, Mark Zuckerberg, CEO i Meta, e cilësoi TikTok si një “kërcënim të frikshëm”. “Tashmë njerëzit kanë shumë zgjedhje për të kaluar kohën e tyre të lirë, dhe aplikacionet si TikTok po rriten shumë shpejt”  tha ai gjatë ditës së mërkurë. Ndryshe nga Snapchat, e cila po shfaq një rritje të të ardhurave më të lartë nga ç’ishte parashikuar, Meta i zhgënjeu investitorët pas raportimit të fitimeve gjatë kësaj jave, duke shënuar një rënie prej më tepër se $200 miliardë në vlerën e saj në treg.