Shqipëria mirëpret për të dytën herë stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2023”, ku trupat dhe mjetet ushtarake amerikane, shqiptare dhe ato partnere zbarkojnë në sheshin ‘Nënë Tereza’. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se sot Shqipëria është më lart se kurrë në aspektin e respektit ndërkombëtar.
Kreu i qeverisë tha se zhvillimi i stërvitjes me praninë e trupave ushtarake amerikane dhe të vendeve të NATO-s është një privilegj për Forcat e Armatosura të vendit. Kjo stërvitje shtoi Rama, tregon edhe njëherë se pavarësisht gjuhës dhe flamurit, jemi të lidhur me vlera dhe parime të njëjta.
“Shqipëria ka nderin të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë dhe ky është një privilegj i posaçëm për Forcat e Armatosura të Shqipërisë që janë pritëse dhe pjesëmarrëse të kësaj stërvitje, e cila për herë të dytë vë në pah edhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona ushtarake, falë mbështetjes të paçmuar të aleatëve tanë amerikane dhe të vendeve të NATO-s. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar dhe sot e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimit krah për krah me SHBA si bashkëpenmajtëse për çështjen e Ukrainës, ajo merr një profil dhe një rol që jo vetëm e ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme por edhe e vë në dukje se çfarë përparimi dhe pjekurie ka arritur vendi ynë.
Zhvillimi i kësaj stërvitjeje me praninë e trupave shumëkombëshe është njëkohësisht edhe shprehje e unitetit të madh dhe vendoshmërisë së palëkundur të të gjithë komunitetit euroatlantik për të mbrojtur vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë shoqëritë tona. Kjo stërvitje na kujton se pavarësisht gjuhës që flasim dhe flamurit që përfaqësojmë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me ato vlera dhe parime që janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh dhe prandaj të gjithë jemi të imponuar nga historia dhe ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë.”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se me bazën operacionale në Kuçovë, vendi ynë është gjithashtu një kontributore në NATO. Kjo sipas Ramës e bën vendin një pikë referimi në kontinent.
“Vitin e shkuar erdhi lajmi i mirë nga komanda e forcave operacionale të SHBA që operon në Evropë për ngritjen në Shqipëri të shtabit të bazës së forcave operacionale speciale çka dëshmon edhe njëherë se Shqipëria mbetet jo vetëm një aleat i fortë dhe i besueshëm i SHBA dhe NATO-s por po bëhet hap pas hapi një pikë e palëvizshme referimi në kontinent. Me aeroportin e Kuçovës që së shpejti do të jetë në funksionim si një bazë e re operacionale e NATO-s dhe shpresojmë edhe me portin që do të ketë një komponent për të bërë të njëjtën gjë si aeroporti duke funksionuar si një tjetër bazë operacionale e NATO-s por këtë herë për forcat detare, ne jemi në kushtet ku mund të themi se një faqe e re e historisë tonë po shkruhet dhe në këtë faqe të re ne jemi jo vetëm konsumatorë dhe kontributorë në këtë aleancë të madhe për të garantuar sigurinë e popujve tanë.”, tha Rama./abcnews.al