Arben Ismalaj, shoferi i një autobusi të linjës Tiranë-Tropojë është arrestuar nga Forcat Shqiponja në Lezhë, pasi në mjetin të cilin ai e drejtonte u kapën 15 pako me drogë në formë çokollate. Gjithsej, në autobus pas peshimit ka rezultuar një sasi prej 3.1 kg kanabis.

“Shqiponjat” e Lezhës dhe Seksioni Antidrogë bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se në pjesën e bagazheve të autobusit të linjës “Tiranë – Tropojë” kishte drogë, kanë organizuar punën dhe e kanë ndaluar mjetin e nisur nga kryeqyteti në Kurbin.

Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shoferi i autobusit, shtetasi Arben Ismalaj, 43 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. 

Njoftimi i plotë i Policisë së Lezhës – Pamjet:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara se në pjesën e bagazheve, në autobusin e linjës “Tiranë – Tropojë”, kishte lëndë narkotike të përpunuar si çokollatë, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Linja”.

Gjatë këtij operacioni, në Kurbin, shërbimet e Policisë kanë ndaluar autobusin, ku dyshohej se ishte lënda narkotike dhe pas kontrollit në pjesën e bagazheve, në këtë autobus, është gjetur një çantë, brenda së cilës kishte 15 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e përpunuar si çokollatë, të cilat pas peshimit rezultuan rreth 3.1 kilogramë.

Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shoferi i autobusit, shtetasi A. I. 43 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. 

Vijon puna hetimore nga ana e strukturave të Policisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.