Një sherr me thikë mes një shqiptari dhe një gambezi ka lënë të terrorizuar vendasit dhe turistët e huaj në Firence.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Leopolda, ku 28-vjeçari shqiptar iu afrua 32-vjeçarit nga Gambia dhe nisi të debatonte me të. Pas pak çastesh sherri me fjalë degradoi në përplasje fizike me grushte dhe shkelma. Në këtë moment shqiptari nxorri një thikë nga xhepi dhe e qëlloi gambezin në gjoks.

Policia që vuri re skenën e krimit ndërhyri menjëherë, por përfundoi duke u përleshur me shqiptarin, i cili nisi t’i godiste me grushte. Autoritetet besojnë se shqiptari me gambezi njiheshin më parë dhe mund të jenë përplasur për hesape droge.

Ngjarja tronditi të pranishmit, të cilët i bënë thirrje kryebashkiakut të reagojë për të ndaluar shfaqjet e shëmtuara në qytetin e vizituar nga miliona turistë.