schedule08:42 – 4 Mars, 2022

Në Ukrainë ishte një natë e gjatë dhe shpeshherë e frikshme, jo vetëm për njerëzit atje por edhe për qytetarët e tjerë të Evropës. Centrali më i madh bërthamor në Ukrainë, Zaporizhzhia, u raportua se u sulmua nga rusët në orët e para të së premtes së 4 marsit. Ukraina paralajmëroi rrezik të madh për tërë Evropën në rast se sulmohet ky central bërthamor. Liderë të ndryshëm si Joe Biden, Justin Trudeau dhe Boris Johnson, biseduan gjatë natës me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Centrali bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainë u sulmua nga forcat ruse. Sulmi ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së premtes sipas orës lokale në Ukrainë.

Përreth zonës së centralit kanë qenë duke u zhvilluar luftime prej disa ditësh. Autoritetet ukrainase njoftuan se sulmi nuk shkaktoi pasoja të mëdha sa të rrezikonte shkaktimin e një fatkeqësie bërthamore. Ekspertët raportuan se nuk ka rritje të nivelit të radioaktivitetit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian pas sulmit duke thënë se rrezikohet e gjithë Evropa.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se bombardimi i këtij centrali bërthamor mund të shkaktojë fatkeqësi më të madhe se ajo e Çernobilit që ndodhi në vitin 1986 pasi ky central është më i madhi në Evropë.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se do të kërkojë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në kompleksin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë.

Sekretarja amerikane e Energjisë, Jennifer Granholm, ka njoftuar se ka vendosur të aktivizojë Ekipin Amerikan të Reagimit ndaj Incidenteve Bërthamore.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau foli me liderin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe dënoi sulmet, duke u bërë thirrje që ato “të pushojnë menjëherë”.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka prezantuar të enjten sanksione të reja kundër oligarkëve rusë dhe personave tjerë të rrethit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj.

Negociatorët rusë dhe ukrainas të enjten thanë se kanë rënë dakord të organizojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve.

SHBA dhe Britania e Madhe kanë miratuar sanksione shtesë që synojnë oligarkët rusë SHBA-ja dhe BE-ja kanë rënë dakord të ofrojnë qëndrim të përkohshëm për refugjatët që ikin nga Ukraina. /Express