Deputeti i PD-së Belind Këlliçi, dhe njëherësh kryetar ende në detyrë i forumit rinor të PD ka konfirmuar praninë e tij në foltoren e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai zbulon arsyet e vendimit, dhe thotë se çdo anëtar i PD-së duhet të dëgjohet edhe kur kritikon.

Vendimi i Këlliçit për t’iu bashkuar Berishës, duket se është dhe shkaku real për shpalljen e zgjedhjeve për kreun e ri të FRPD-së.

“Unë kam folur gjithnjë me gjuhën e gjithëpërfshirjes. Jam kundër përjashtimit e linçimit publik që i bëhet bashkëdemokratëve të mendimit ndryshe.

Çdo anëtar i FRPD gëzon lirinë të zgjedhë platformën ku mund të shprehë qëndrimet e veta.

Unë jam pjesë e PD sepse besoj në historinë dhe potencialin tonë për të qeverisur Shqipërinë.

Mandati im nuk është i përjetshëm. Anëtarët e kryesisë së FRPD nuk janë uzurpatorë dhe as të ngujuar. Zyrat tona janë aty ku kanë qenë, në selinë e PD, për këdo që kërkon të njohë të rinjtë e saj.

Kam njoftuar pjesëmarrjen në Foltore, sepse besoj se anëtarësia duhet dëgjuar kur na kritikon. Prandaj sot, në orën 12:00, në amfiteatrin e jashtëm të Akademisë së Arteve, do të jem edhe unë, për të dëgjuar këdo që nuk ka patur hapësirë të shprehet e të dëgjohet”, shkruan deputeti.