E teksa Mallakastra po vuan nga varfëria madhe, Bashkia Mallakastër duket se e ka lëshuar dorën fare dhe nuk ka pyetur as për garë e as për konkurrencë, por i ka futur në xhep Salillarit plot 1.3 miliardë lekë nga taksat e qytetarëve mallakastriotë.

Në vend që me ato para të ndihmoheshin familjet në nevojë nëpërmjet projekteve apo programeve të ndryshme sociale, Bashkia Mallakastër ka vendosur se paratë qëndrojnë më mirë në xhepat e Salillarit.

Por për çfarë bëhet fjalë? Kjo bashki ka realizuar një tender me numër reference REF-35560-07-06-2022 dhe me objekt “Rikonstruksion i rrugëve në fshatrat Dukas, Visokë, Greshicë, Mollaj”. Fondi limit i kësaj procedure është 116,565,167 lekë të reja pa TVSH.

Duke parë me hollësi dokumentacionin përkatës të tenderit, vihet re se kanë marrë pjesë 10 kompani. Fitues është shpallur Salillari me ofertë 107,668,350 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.3 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Por vihet re se plot katër kompani të tjera kanë dhënë oferta shumë më të ulëta sesa fituesi, e megjithatë për habi janë skualifikuar nga ana e këtij instiucioni.

Madje diferenca më e thellë mes Salillarit dhe firmës me ofertën më të ulët shkon në rreth 300 milionë lekë të vjetra me TVSH. Natyrisht një shifër e tillë nuk është një fjalë goje dhe Prokuroria duhet të hetojnë këtë procedurë, pasi ka dyshime se fituesi mund të ketë qenë i paracaktuar.
Mallakastra News