Sot do të merret në pyetje personeli i qendrës “Orenda” në Pejë, pas skandalit të dhunës ndaj të moshuarës nga 4 punonjëse të azilit. Po ashtu do të merren në pyetje edhe të moshuarit për të zbuluar nëse raste të tilla të keqtrajtimit janë përsëritur. Prokurori i Pejës Dorian Juniku, në Debat Plus, ka bërë të ditur se prokuroria ka informacione se në këtë Qendër mund të ketë raste të tjera të dhunës.

Juniku theksoi se prokuroria është ende në fazën hetimore, dhe se nuk do të ndalen derisa ky rast të zbardhet.

“Jemi në fazën fillestare hetimore, që në fund të kompletojmë rastin dhe të kemi një pasqyre të qartë se çfarë ka ndodhur, nuk do të ndalemi deri sa të sqarohet i gjithë rasti. Është autorizuar policia, që të vazhdojë edhe të personelit, por edhe të tjerëve që janë vendosur aty. Kemi dyshime që këto raste mund të kenë ndodhur edhe më herët”
, ka vijuar ai.

Keqtrajtimi i të moshuarës në qendrën “Orenda” në Pejë ka tronditur jo pak opinion publik ditën e djeshme pas videove të publikuara nga një qytetare në Kosovë. Në vetëm pak minuta pamjet u bënë virale, ku të shumta ishin reagimet e qytetarëve lidhur me rastin në fjalë. Policia e Kosovës ka njoftuar se infermierja Aurona Pelaj e cila urdhtroi dhunë ndaj të moshuarës dhe dy të tjera janë vënë në pranga. Vajza e katërt po hetohet.