Ndonëse sërish pa thënë një datë, ish-kryeministri Sali Berisha përsëriti thirrjen ndaj shqiptarëve për t’u ngritur në protesta deri në largimin e regjimit të Edi Ramës, i cili sipas tij ndërmori një ndër aktet më të rënda në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, pas asaj të vitit 1946, kur u largua dhe ambasada e vendit mik.
“Për PD skandali McGonigal përbën një akt ndër më të rëndët në historinë e marrëdhënieve-shqiptaro amerikane pas largimit të ambasadës së SHBA në 1946 nga Enver Hoxha dhe do të mbetet në memorie jo për pak kohë. Mendoj se çdo shqiptar ka një detyrim madhor t’i japë Ramës përgjigjen e merituar sepse ai kontraktoi një vrasës me pagesë për ekzekutimin e PD dhe pluralizmit. T’i japim një përgjigje përfundimtare Ramës si një armik i egër i aleatit tonë kryesor, si njeri i pabesë që shfreu urrejtjen e etërve të tij kundër SHBA, ose verbëria e pushtetit e bën atë të aftë për çdo veprim për të qëndruar në pushtet. Çdo shqiptar ka ardhur koha të flasë, t’i dalë zot vendit për të larguar këtë kalbësirë, i cili në çdo anë del i zi dhe më i zi. Kemi denoncuar këto muaj skandal pas skandali, por bota është çuditur me tolerancën ndaj këtyre skandale”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD nuk harroi të përmendte dhe reagimin e Lulzim Bashës për skandalin e McGonigal, i cili sipas tij ishte përmbledhur në 4 rreshta dhe nuk e shqiptonte emrin e Ramës në të dhe jo më të ish-agjentit të FBI.
“Basha bëri një shënim 4 rreshta ku nuk guxonte të përmendte Edi Ramën, pa le më McGonigal. Shikoni si duan ta kalojnë skandalin e shekullit, i cili dëmton imazhin e shqiptarit në SHBA. Amerikanët janë të tronditur nga kjo ngjarje, për ata, ai është kryeministri i Shqipërisë që i fut thikën SHBA duke shfrytëzuar një njeri të padenjë”, përfundoi Berisha.