Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj ka reaguar zyrtarisht lidhur me rrjedhjen në internet të pagave dhe të dhënave personale të qytetarëve. Karçanaj thotë se portali qeveritar e-Albania dhe AKSHI janë me certifikatë sigurie. Rrjedhjen e të dhënave e konsideron “keqpërdorim të aksesit në këtë sistem”, duke theksuar se deri në këto momente nuk kanë lidhje kompanitë që menaxhojnë sistemin e Tatimeve.

Reagimi i drejtoreshës së AKSHI-t:

Linda Karçanaj: E-Albania dhe AKSHI është me certifikatë ndërkombëtare ISO 27001 për sigurinë e informacionit dhe ISO 9001 për menaxhimin e informacionit. Kjo që ka ndodhur nuk ka asnjë lidhje me AKSHI-n i cili nuk menaxhon sistemin dixhital të Tatimeve. Por nga analiza e deritanishme kjo nuk duket të ketë asnjë lidhje as me kompaninë austriake, e cila bashkë me kompani shqiptare prej më shumë se 8 vitesh kanë krijuar dhe menaxhojnë sistemin e Tatimeve. Kjo ngjarje duket përgjithësisht një keqpërdorim i aksesit në sistem nga individë të ngjashëm me ata që kryejnë krime të kësaj natyre kudo nëpër botën e sotme.