Unioni i Këshillave Studentorë e ka quajtur një vendim totalisht të pa menduar mirë dhe tërësisht në dëm të studentëve atë të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për të liruar disa nga godinat në Qytet Studenti për strehimin e afganëve.

Në një reagim zyrtar, Këshilli thotë se po e ndjekin situatën me shqetësim të madh, për shkak se studentët janë detyruar të dalin nga dhomat e tyre, madje pa asnjë shkresë zyrtare që kërkon lirimin.

“Unioni i Këshillave Studentorë po ndjek me vëmendje situatën e krijuar ditëve të fundit në konviktet e “Qytet Studentit”.

Në adresën tonë kanë ardhur shqetësime nga studentë të ndryshëm, të cilët po detyrohen të nxirren jashtë nga dhomat e tyre, pa asnjë njoftim paraprak.

Në informacionin që qarkullon nëpër media dhe nga një njoftim që studentët kanë marrë nga kujdestarët e konvikteve, një njoftim ky jo nëpërmjet një shkrese dhe në rrugë ligjore, thuhet se këto konvikte do të strehohen qytetarët që do të vijnë nga Afganistani.

Për ne ky veprim i ndërmarrë nga qeveria dhe Bashkia është totalisht i pa studiuar mirë, jo transparent dhe tërësisht në dëm të studentëve”, shkruan ndër të tjera Unioni.

Rikujtojmë se Shqipëria do të pranojë strehimin e disa shtetasve afganë, me kërkesë të SHBA-ve, pas situatës së vështirë të krijuar në Afganistan duke qenë se talebanët kanë marrë pushtetin. Pritet që një pjesë e afganëve që do të strehohen në Shqipëri do të vendosen ne disa nga godinat e Qytet Studentit. Studentët që qëndronin në këto godina janë detyruar të largohen nga dhomat e tyre me një urdhër të menjëhershëm.