Britanikët e moshuar që e kanë marrë vaksinën e kompanisë AstraZeneca kanë më pak gjasa që të kenë antitrupa kundër Covidit se ata që e kanë marrë vaksinën e kompanisë Pfizer, tregon një studim.

Hulumtuesit e Kolegjit Imperial të Londrës zbuluan se më pak se 85 për qind e personave mbi moshën 80-vjeçare kishin nivel të vërejtshëm të proteinave që e luftojnë virusin dy javë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës së AstraZeneca-s.

Në anën tjetër, gati 98 për qind e personave të kësaj grupmoshe që e kishin marrë vaksinën e Pfizer-it kishin antitrupa, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Të gjeturat erdhën nga studimi më i madh vëzhgues në Britani, i njohur si REACT-2, përmes së cilit testohen në mënyrë të rastësishme mostrat e gjakut të qindra mijëra britanikëve.

Ndonëse antitrupat janë vetëm një pjesë e reagimit të përgjithshëm imunitar të organizmit kundër Covid-it, ekspertët thonë se rezultatet nuk ishin tërësisht të befaishme.

Profesori Ian Jones nga Universiteti i Reading-ut tha se vaksina e AstraZeneca-s kishte më pak gjasa që të nxisë imunitetin, sepse ajo varet në një virus të ftohtë e të dobësuar.

Në disa raste, trupi mund ta sulmojë këtë virus në vend të proteinave të Covid-it në sipërfaqen e tij, që rezulton në dështimin e vaksinës për ta nxitur imunitetin kundër Covid-it, tha ai. Vaksina e Pfizer-it nuk e ka këtë problem, sepse përdor një teknologji krejt tjetër.

Gjatë testimit, vaksina e AstraZeneca-s gjithashtu doli të jetë pak më e dobët në parandalimin e infeksionit me simptoma.

living