Skënder Hita, drejtor i Policisë së Dibrës, u vendos të transferohet në fillim të muajit tetor në krye të Policisë së Durrësit. Me një eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit, Skënder Hita u emërua drejtor i Qarkut pasi Neritan Nallbati shkoi në krye të Policisë Kriminale.
Rezultatet pozitive të uniformave blu të Qarkut të Dibrës, zbardhja e ngjarjeve të vjetra kriminale, arrestimi i personave në kërkim prej vitesh për ngjarje të rënda, ulja e kriminalitetit dhe kapja në kohë rekord e autorëve të grabitjes së një banke, ishin tregues të punës me rezultate konkrete të Skënder Hitës.
Me ardhjen në krye të Policisë së Shtetit të Muhamet Rrumbullakut dhe në kushtet kur një nga më të rëndësishme Drejtorit Vendore kishte mbetur pa drejtues, ish-drejtori i Dibrës u emërua në qytetin bregdetar, shkruan newsbomb.al.
Më shumë se 20 vite karrierë nën uniformë dhe operacionet e suksesshme ia bënë më të lehtë promovimin Skënder Hitës. Goditja e mbrëmshme e veprimtarisë kriminale të trafikimit të kokainës nga Ekuadori tregon se pozicioni që i është besuar, është mëse i merituar.
Nga veprimet e thelluara, strukturat e drejtuar prej Skënder Hitës kanë mundur të zbulojnë një sasi prej 33.5 kg kokainë të fshehur mes arkave me banane, pasi skaneri i ndodhur në ambientet e brendshme të Portit të Durrësit e nxori të pastër ngarkesën.
Ishin dyshimet e uniformave blu, të cilat këtë herë nën drejtimin e Skënder Hitës kryen kontrolle të imtësishme me qen antidrog, i cili i çoi policët te arkat me “të bardhë”, shkruan newsomb.al. Një sasi gati katër herë më e madhe se e djeshmja u kap një vit më parë në kontejnerët e Zico Sh.a, por u arrestuan shoferët.
Menjëherë sapo mori detyrën në Durrës, Skënder Hita inkurajoi dhe udhëzoi ekipet policore të punonin në drejtime të ndryshme dhe gjatë muajit tetor, u arrestuan disa shtetas të shpallur në kërkim prej vitit 2015 e 2019, për trafikim lëndësh plasëse të llojit tritol dhe “shtëpi bari”.
Operacioni i djeshëm i vuri vulën punës njëmujore të drejtorit Skënder Hita në krye të Qarkut të Durrësit, pasi për herë të parë Policia e qytetit bregdetar guxoi të shkonte te pronari i ZICO Sh.a, Trifon Murataj, i cili nga sot është shpallur në kërkim.