Një tabelë e vendosur gabim, ka qenë arsyeja e përkeqësimit të trafikut në hyrje të Tiranës, që në këto ditë të fillimshtatorit është kthyer në një makth për drejtuesit e mjeteve.

Tabela që orienton drejtuesit e mjeteve është vendosur në pjesën fundore të degëzimit, çka bën që ajo të shihet vonë nga shoferët, të cilët në disa raste duhet të kthehen pas me indietro, në mënyrë që të mos mbërrijnë në destinacionin e gabuar.

Siç edhe shihet nga pamjet e siguruara nga Fax Neës, edhe sot, pavarësisht rënies disi të fluksit të mjeteve që qarkullojnë, disa prej tyre shihet se kanë ngatërruar rrugën që duhet të zgjedhin mes aksit që të çon në Laprakë, dhe aksit tjetër që të çon drejt zonës së Astirit.

Kjo ngatërresë është bërë për shkak se hyrja në Tiranë tashmë bëhet vetëm përmes mbikalimit dhe jo tuneleve siç bëhej deri vetëm disa ditë më parë. Ndryshimet e shpeshta të akseve, problemet me sinjalistikën dhe me tabelat kanë çuar në krijimin e këtij kaosi që për momentin duket i pazgjidhshëm.

Drejtuesit e mjeteve në Tiranë qëndrojnë me orë të tëra në trafik për të shkuar nga një pikë e kryeqytetit në një pikë tjetër, ndërkohë që shpenzimet për karburantin janë të larta.