Edhe pse profesionet e lira duke përfshirë kontabilistët, avokat dhe mjekët paralajmëruan më herët dërgimin e projektligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” në Kushtetuese, pasi krijon pabarazi mes tatimpaguesve, Ministria e Financave nuk tërhiqet nga vendosja e taksimet te të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj përsëriti së fundmi se vendosja e taksimit te profesionet e lira do të shmangë abuzimet nga tatimfitimi zero që zbatohet për biznesin e vogël.

“Kur ne morëm nismën që të bënim tatimin mbi fitimin zero për biznesin e vogël, u ndërmor me qëllim mbështetjen e bizneseve të vogla, si marketi i lagjes, berberi, parukeri apo këpucari që punojnë për të mbajtur familjen e tyre. Nëpërmjet kësaj politike kërkonim që t’i nxisnim këto biznese me qëllim rritjen e tyre. Ishte e nevojshme të ndërmerrnim nisma për të ndihmuar biznesin, pasi ishte edhe periudha e pandemisë.

Ndërkohë u evidentua që nga hyrja në fuqi e kësaj politike niveli i punëmarrësve u ul në sektorë specifikë si profesionet e lira dhe pati rritje të numrit të personave fizikë të regjistruar për profesionet e lira. Shumë biznese dhe individë përfituan nga hapësira ligjore. Nuk kryen evazion, por përfituan me qëllim reduktimin e taksave. Kjo është arsyeja pse po i fusim profesionet e lira në taksim. Është një masë anti shmangie, që përforcon zbatimin e legjislacionit fiskal dhe reduktimin e hapësirave për të kthyer evazion”.

Ibrahimaj shtoi se lista e profesioneve që do të tatohen sipas ligjit të ri do të bazohet në ligjet ekzistuese dhe do të dalë me VKM.

Drafti i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” pritet t’i kalojë për miratim Parlamentit, pas miratimit të tij në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

Projektligji ishte parashikuar të hynte në fuqi nga 1 janari 2023, por u shty në fund të këtij viti, pasi grupi i punës i ngritur nga komisioni parlamentar kërkoi të marrë në shqyrtim ankesat e Institutit të kontabilistëve të Miratuar dhe Shoqatës së Bankave.

Drafti i rishikuar nga deputetët solli vetëm rishikimin e disa termave, ndërsa nuk mori në konsideratë kërkesën e grupeve të interesit për shtyrjen e tatimit progresive të profesioneve të lira deri në dhjetor 2029, siç parashikohet të vijojë 0% tatim për bizneset e vogla tregtarë dhe të vetëpunësuarit e tjerë.

Përmes projektligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0 %, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi për të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.

Projektligji përcakton dy afate zbatimi. Për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira tatimi progresiv nga 15% deri në 23% do të nisë zbatimin nga 1 janari 2024, ndërsa për biznesin e vogël (duke përfshirë kategoritë të vetëpunësuarit) efektet e ligjit do të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2029.

Pas miratimit të draftit të ri nga komisioni parlamentar IKM, Dhoma e avokatëve dhe Mjekëve paralajmëruan dërgimin e tij në Kushtetuese./Monitor