Britania këtë javë bëri thirrje për reformë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, pasi gjykatësit atje bllokuan fluturimet që transportonin azilkërkuesit nga Britania drejt Ruandës për përpunimin e dokumenteve. Ka pasur një rritje të shpejtë të numrit të imigrantëve që mbërrijnë me varka të vogla në brigjet e Britanisë – dhe qeveria beson se politika e dërgimit të tyre në Ruandë do të dekurajojë shumë njerëz që të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, shumë analistë thonë se aleatët evropianë të Britanisë nuk kanë prirjen të reformojnë gjykatën.

Autoritetet britanike kanë diktuar deri më tani këtë vit, gati shtatë mijë emigrantë që kalojnë Kanalin e Lamanshit me varka të vogla nga Franca. Totali për vitin 2022 i kaloi 45,000. Kryeministri britanik Rishi Sunak është zotuar vazhdimisht – siç është shprehur ai – “të ndalë varkat”.

Britania nënshkroi një marrëveshje me Kigalin vitin e kaluar, që do priste një numër të papërcaktuar imigrantësh që do të transportoheshin atje për përpunimin e dokumenteve të azilit– pa të drejtë ankese. Sipas marrëveshjes, Britania tashmë i ka paguar Ruandës 150 milionë dollarë.

“Është qasje e re ambicioze, por besoj se është në përputhje me detyrimet tona ndërkombëtare”, tha kryeministri britanik Rishi Sunak.

Por gjyqtarët në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut nuk ishin dakord me këtë lëvizje. Ndërsa avioni i parë ishte gati të nisej për në Ruandë qershorin e kaluar, gjykata lëshoi atë që njihet si “Rregulli 39” – bllokimin e fluturimeve me arsyetimin se ato mund të shkelin Konventën e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut – nënshkruese e së cilës është edhe Britania. Këshilli i Evropës nuk është pjesë e Bashkimit Evropian.

Si përgjigje, qeveria britanike ka prezantuar një legjislacion të ri i cili do të anulonte vendimet e gjykatave evropiane. Projektligji po debatohet aktualisht në parlament.