Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka reaguar ashpër ndaj rastit të drejtorit të shkollës në Pogradec, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse.

Ajo shprehet se në institucionet arsimore nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve tanë, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe.

Reagimi i plotë i Ministres Kushi:

Drejtori i shkollës në fshatin Stropckë të Pogradecit do të përgjigjet përpara drejtësisë dhe sigurisht do të marrë dënimin e merituar, sepse në institucionet tona arsimore nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve tanë, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe.

Por kjo ngjarje thekson rëndësinë dhe përgjegjësinë e lartë që ka shërbimi psiko-social në shkollat tona, i cili ndihmoi që rasti të identifikohet, trajtohet dhe referohet në institucionet kompetente, duke parandaluar degradimin e mëtejshëm apo ndonjë rrezik të mundshëm abuzimi e dhune ndaj të miturve.

Detyrë e jona emergjente është forcimi dhe përmirësimi i këtij shërbimi, në bashkëpunim të ngushtë me prindërit, komunitetin, institucionet dhe shoqërinë, për të parandaluar fenomene të tilla të rënda dhe krijuar një mjedis sa më të sigurtë e miqësor për të gjithë nxënësit dhe mësuesit.