Aventurieri i njohur me emrin Bear Grylls iu është bashkuar Marinsave të Mbretërisë së Bashkuar teksa ata po stërviten në kushte ekstreme të motit në Norvegji.

47-vjeçari u bë pjesë e marinsave, ndërsa ata treguan aftësitë e tyre në fjordet norvegjeze në Arktikun e ngrirë. Aventurieri dhe prezantuesi televiziv, së bashku me marinsat, zhvilluan një stërvitje për thyerjen e akullit ndërsa ishin të zhytur në ujë, në temperatura që arrinin deri në -35 gradë celsius.

Zhytja në ujë në temperatura të tilla mund të shkaktojë vdekje të menjëhershme si pasojë e atakut kardiak, por ka edhe rreziqe të tjera që bëjnë të pamundur funksionimin normal të trupit të njeriut. Pavarësisht këtyre rreziqeve, Bear Grylls nuk është menduar dy herë të kryejë stërvitjen, së bashku me marinsat britanikë.

Bear Grylls ka qenë pjesë për 3 vite në Forcat Speciale Britanike si pjesë e “21 SAS”. “Është frymëzuese të kalosh kohë me komandot, t’i shohësh ata kur demonstrojnë aftësitë e tyre unike luftarake të mbijetesës në kushte të tillë. Kjo tregon se çfarë heronjsh janë ata”, është shprehur 47-vjeçari.