Qytetarët: Nuk ka paga të mira
Shqipëria u rendit në mesin e vendeve e normën të lartë të popullsisë në moshë në punë që nuk aktivizohet në forcën e punës. Në Shqipëri popullsia jo aktive në tregun e punës pësoi rritje të ndjeshme në vitin 2020. Si rrjedhojë e krizës ekonomike që u krijua nga pandemia shumë persona u dekurajuan të kërkojnë punë pasi mendojnë se nuk gjendet një e tille. Nëse bën një vëzhgim të shpejtë në kafenetë e qytetit shihet se janë të tejmbushura me të rinj .
Sipas qytetarëve shkaqet që të rinjtë nuk integrohen në tregun e punës lidhen kryesisht me pagat e ulta që ofrohen nga bizneset në Shqipëri.
Popullsia jashtë forcës së punës përfshin persona që janë në moshë pune, por nuk janë të punësuar dhe gjithashtu nuk kategorizohen të papunë, pasi nuk janë në dispozicion ose nuk kërkojnë punë për një larmi arsyesh, për shembull, sepse po studiojnë, kujdesen për një anëtar të familjes ose janë të paaftë për punë.
Por ndryshe nga Bashkimi Europian në Shqipëri popullsia që merr pjesë në forcën e punës, që dëshiron të punojë dhe nuk gjen punë është shumë e lartë. Kjo pjesë e popullsisë në moshë pune konsiderohet “e papunë”. Shkalla e papunësisë në Shqipëri arriti në 11.8 për qind në fund të vitit 2020 me një rritje vjetore prej 0.7 pikë përqindje.