39-vjeçarja shqiptare Tefta Malaj, e cila mbeti e plagosur nga bashkëshorti i saj më shumë se 10 ditë më parë, ka dalë nga ambientet e spitalit. Ajo ishte pjesë e funeralit të vajzës së saj, Xhesikës, ndërsa tashmë sipas avokatit mbrojtës po përballet me një situatë të vështirë emocionale, për shkak se në komente të ndryshme në rrjetet sociale, ajo bëhet fajtore për vdekjen e të bijës.

“Ajo ndihet e persekutuar nga të gjithë ata urrejtës që po e sulmojnë rëndë në rrjetet sociale, sikur fajin e ka ajo për atë që ka bërë Taulanti”, deklaron avokati Michele Sodrio.

Avokati tregon se me vullnetin e shprehur të gruas ka ndërmarrë veprime “për të gjetur një shtëpi të re për Teftën dhe djalin e saj 5 vjeçar, të cilët tashmë po ndihmohen dhe nga punonjësit social”.

Ndërkohë që avokati zbulon dhe kërkesën që i ka bërë presidentit italian për rastin tragjik të Teftës.

“I bëra një apel Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella , sepse shpresojmë në ndërhyrjen e tij në kërkesën për nënshtetësinë italiane që Tefta ka bërë disa muaj më parë”, thotë Sodrio. “Ka mbi 18 vite që jeton në Itali, dy fëmijët i kanë lindur në Itali”, nënvizon ai duke iu referuar Xhesikës dhe 5-vjeçarit, dëshmitarë të masakrës në shtëpi. Ajo vetë është e integruar në mënyrë perfekte dhe ndihet italiane thellë në shpirt”, përfundon avokati.

Taulant Malaj masakroi me thikë vajzën e tij Xhesika dhe një shtetas italian, me pretendimin se bashkëshortja e tradhtonte. Kamerat e sigurisë në banesën e familjes Malaj kanë fiksuar të gjithë skenën e krimit, dhe pritet që të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë që shokoi mbarë opinionin.