Urgjenca e Elbasanit është duke përballuar këtë muaj një fluks të lartë pacientësh që kërkojnë ndihmë. Temperaturat e larta, viroza dhe Covid-19 janë rastet më të shpeshta që paraqiten pranë këtij institucioni. Ndërkohë mjekët bëjnë thirrje që për shqetësime të Covid të paraqiten fillimisht tek mjeku i familjes dhe jo nëpër institucione spitalore, me qëllim mbajtjen nën kontroll të virusit.

Rreth 120 persona paraqiten çdo ditë në urgjencën e spitalit rajonal të Elbasanit për të kërkuar ndihmë mjeksore për problemet shëndetësore.

Sipas mjekut të urgjencës shqetesimet kryesore të qytetarëve lidhen me komplikacionet e shkaktuara nga temperaturat e larta që është duke kaluar Elbasani.

Aktualisht jemi në një periudhë virozash. Numri i të sëmurëve që paraqiten në urgjencën e Elbasanit është rritur. Aktualisht bëjmë 100-120 vizita në ditë. Pacientët paraqiten me temperaturë, dhimbje trupi, anoreksi, dobësi që janë karakteristike për këtë virozë që është tani,” tha Halit Hasa, mjek i urgjencës Elbasan

Specialistët thonë se shumë nga rastet që paraqiten në urgjencë për ndihme janë të prekur edhe nga Covid-19.

Veç virozave, kemi dhe rastet me Covid që vijnë në urgjencë, por në shenja më të lehta se në rastet e para. Janë kryesisht me temperaturë, kollë, gjendje dobësie të përgjithshme,” shtoi mjeku.

Për shkak të rikthimit te rasteve masive me Covid, mjeku apelon qytetarët që në rastet kur nuk kanë shqetesime serioze, të konsultohen fillimisht me mjekun e familjes, e më pas të paraqiten në urgjence.

“Jo çdo rast duhet të vijë në shërbimin e urgjencës. Duhet fillimisht të konsultohen me mjekët e familjesdhe për rastet e lehta mund të trajtohen shumë mirë dhe aty, kurse për rastet më të komplikuara mund të paraqiten në Urgjencë,” tha ai.

Edhe muaji gusht pritet të mbyllet me temperatura të larta, ndaj mjeku këshillon që të qëndroni në ambiente të freskëta, të konsumoni ujë dhe lëngje vazhdimisht si dhe të hani ushqime të shëndetshme.