Tetë muaj pas arrestimit të Princit të Ndrangheta-s, Antonio Gallo ka riaktivizuar bizneset në Shqipëri. Kompania ‘Gallo Albania’ pezulloi aktivitetin e saj në janar të këtij viti, por më 9 gusht administratorja e shoqërisë, Kledia Baçi, ka vendosur rikthimin në statusin aktiv të shoqërisë, e cila ka për aktivitet shitjen e veshjeve dhe materialeve të punës.

Antonio Gallo ka riaktivizuar biznesin e tij në Tiranë, shkruan “Syri Tv”, ndërkohë që hetimet e nisura nga SPAK-u për lidhjet e ‘Princit të Ndrangheta-s’ me kullat në kryeqytetin shqiptar nuk kanë dhënë asnjë shenjë jete prej më shumë se 8 muajsh.

Kompania ‘Gallo Albania’ pezulloi aktivitetin e saj në janar të këtij viti, pas arrestimit të Antonio Gallos dhe shumë personave të tjerë, përfshirë edhe ortakun e tij shqiptar, Henrik Baçi, në vijim të një operacioni të zhvilluar nga Anti-Mafia e Katanzaros në Itali.

Pak ditë më parë, e konkretisht në 9 Gusht, administratorja e shoqërisë, Kledia Baçi, ka vendosur rikthimin në statusin aktiv të shoqërisë ‘Gallo Albania’, e cila ka për aktivitet shitjen e veshjeve dhe materialeve të punës.

Dy ortakët e ‘Gallo Albania’, Antonio Gallo dhe Henrik Baçi janë në pritje të gjykimi në Itali, të akuzuar pjesëmarrje në organizatë mafioze, së bashku me shumë persona të tjerë.

Mbi 400 persona u arrestuan në janar të këtij viti, pas hetimeve të zhvilluara nga drejtuesi i Anti-Mafias së Katanzaros, Nikola Grateri.

Në përgjimet e dosjes hetimore, rezultoi se Antonio Gallo dhe bashkëpunëtorët e tij diskutonin për shtrirjen e aktivitetit të tyre të pastrimit të parave në fushën e ndërtimit të kullave të larta në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Sipas bisedave të regjistruara, anëtarët e grupit përmendnin emrin ‘Nik shqiptari’, një shkurtim i përdorur për biznesmenin Besnik Halili, si personi kyç për lidhjet e tyre me zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare dhe në Bashkinë e Tiranës, për të siguruar leje ndërtimi.

Biznesmeni Halili, përfaqësuesi i kompanisë ‘Sol’, e cila ka siguruar një lloj monopoli në furnizimin me oksigjen spitalor në Shqipëri, pranoi që e njihte Antonio Gallon, por mohoi që të ishte përfshirë në çështjet e lejeve të ndërtimit.

Pak ditë pas publikimit të përgjimeve italiane, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion u detyrua nga presioni publik që të deklaronte në media nisjen e hetimeve në Shqipëri.

Ndërkohë që nuk ka asnjë njoftim zyrtar për këtë hetim, SPAK-u shpërndau po nëpërmjet ‘kanaleve mediatike’ se pjesë e hetimit do të ishin procedurat për dhënien e lejeve të ndërtimit të kullave në Tiranë prej vitit 2013 e në vijim.

Ky procedim, për një prej çështjeve më serioze të ndërhyrjes së mafias italiane në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, iu dorëzua një prej prokurorëve pa përvojë në hetime komplekse, i cili iu bashkua SPAK-ut pasi kishte qëndruar gjatë në prokurorinë periferike të Pogradecit.

Prej Janarit 2021, nuk ekziston asnjë e dhënë publike për ecurinë e këtij hetimi, ndërkohë që biznesi i kullave vijon i pashqetësuar në Tiranë