Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi qarkullonte në automjet me pistoletë imituese, armë të ftohta dhe përdorte pajisje të policisë si stema dhe portofol policie.

I riu Spajdi Selamaj, u arrestua gjatë operacionit, në rrugën “Siri Kodra”, teksa lëvizte me automjetin tip “Benz”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën “Siri Kodra”, me një automjet tip “Benz”, qarkullonte një shtetas i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “The night”, për kapjen e tij. Gjatë operacionit, në rrugën “Siri Kodra”, është lokalizuar automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin 30 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale një pistoletë imituese, një mjet prerës, dy stema dhe një portofol si ato të Policisë.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/