Presidenti i Tiranës, Refik Halili, njoftoi se zëvendësuesi i trajnerit të pezulluar Orges Shehi te bardheblutë do të jetë Julian Ahmataj.
“Sa i takon drejtimit të skuadrës, kemi menduar se nuk kemi kohë. Do të vendosim trajner nga akademia dhe kemi caktuar kryetrajnerin e skuadrës së të rinjve, të të gjithë akademisë, Julian Ahmatajn. Ai do të jetë një trajner i përkohshëm. Julian Ahmataj dhe gjithë stafi janë të gjithë në dispozicion të skuadrës për të bërë më të mirën, pasi kjo skuadër dhe këta lojtarë meritojnë të jenë më lart. Nuk kam frikë dhe nuk ka vend për alarm. Nuk na pëlqejnë këto rezultate dhe unë jam i bindur se kjo skuadër do të shkojë shumë para”, tha Halili.
Në lidhje me arsyet e pezullimit të Orges Shehit, Halili tha: “Kontigjenti është shumë i mirë dhe shpresojmë që në ditët në vazhdim të bëhet kthesa. Po ashtu, kemi pasur një trajner që them se ka qenë trajner i mirë, por kur nuk ka rezultate gjithmonë duhet bërë një ndërhyrje dhe menduam të largojmë trajnerin, të cilin e kemi njoftuar se kemi një marrëveshje që do e zbatojmë. Do e pezullojmë për të vazhduar e për të respektuar kontratën deri në muajin maj”.