Pas publikimit të pagave të qytetarëve shqiptarë dhe targave të makinave, një tjetër skandal me të dhënat personale është publikuar. Bëhet fjalë për numrat e telefonit të 3 milionë shqiptarëve, që janë  reklamuar në një faqe në internet për tu shitur.

Top Channel thotë se ka identifikuar një faqe në internet e cila disponon një database me 3 milion numra celularësh, së bashku me emrat e përdoruesve të këtyre numrave dhe pozicionin e punës të personit që i përket numri telefonit. Poseduesit e  database të këtyre numrave kanë listuar edhe çmimet e shitjes.

PO SI BËHET SHITJA?

Mjafton të kesh një kartë banke dhe në pak sekonda bëhesh posedues i tyre.

4.000 dollarë është çmimi për blerjen e 3 milion të dhënave për numrat shqiptarë të telefonisë mobile.

1.500 dollarë nëse do të blesh të dhënat e 1 milion numrave, 1.000 dollarë për 500.000 numra dhe vetën 350 dollarë për 100.000 numra.

Poseduesi 3 milion numrave telefonik të shqiptarëve dhe shitësi i tyre përmes një platforme në internet është një person i cili përdor emrin Munnaf Hossain.

Sipas tij lista që ai ka nxjerrë në shitje është e saktë, autentike, e freskuar me informacione korrekte shoqëruar me numrin e telefonit, emrin e personit dhe kodin postar.

Për ta vërtetuar këtë  Munnaf Hossain  ka publikuar në faqen e tij në internet si shembull një pjesë të kësaj database.

Pas verifikimeve ka rezultuar se numrat janë në përdorim dhe i përkasin personave emri të cilëve shkruhet në të djathtë të kësaj liste.

Mbetet e paqartë se si Munnaf Hossain ka mundur të sigurojë 3 milion numrat e celularëve të shqiptarëve në një kohë kur ligji parashikon në mënyrë strikte se kush duhet t’i disponoj këto numra.

CFARE THOTE EKSPERTI I SIGURISE

Në listën e publikuar si shembull për blerësit,  është edhe emri ekspertit të sigurisë Redion Qirjazi i cili tha se “gjetja e fajtorit mbetet gjithmonë sfida  më e madhe në kërcënimet e sigurisë kibernetike”.

“Kjo mund të nxisë kërkesën e qytetarëve për të mos regjistruar të dhëna personale ose akoma më keq, të synojnë forma te jashtëligjshme për zotërimin e një numri celulari. Në terma afatgjatë kjo mund te krijojë një situatë pasigurie për qytetarët dhe qeverinë, që do ta kishin të pamundur të identifikonin thirrësit, në raste të veprimeve kriminale ndaj individëve të tjerë, shoqërisë apo dhe qeverisë”, deklaroi eksperti Redion Qirjazi.

Pas sulmeve të 11 Shtatorit në SHBA, nga ku celula terroriste përdori numra të paregjistruar telefoni, në SHBA dhe EU, në mënyrë drastike legjislacioni pësoi ndryshim për të bllokuar  shitjen e numrave  pa u regjistruar.

Edhe në Shqipëri ndodhi e njëjta gjë. Të gjithë blerësit e një numri duhet të firmosin një mori me letra e më pas bëhen posedues të numrit.

Por e gjitha kjo zhvlerësohet si në aspektin e privatësisë apo edhe të sigurisë në një kohë kur 3 milion numra celulari shqiptarësh janë nxjerrë në shitje.

“Nëse rrjedhja e këtyre numrave  është bërë nga punonjës së institucioneve të sigurisë që janë të autorizuar për të pasur akses, kjo do të dëmtonte imazhin e institucioneve dhe krijonte ndjenjë pasigurie tek qytetarët”, tha Redion Qirjazi.

Sipas ekspertit Qirjazi, kjo do të sjellë uljen e  besimit tek institucionet të cilat kanë akses në numrat e celularëve të shqiptarëve, të cilat tashmë janë në shitje.