Bledar Cara, ish-jurist në Hipotekën e Lezhës është dënuar me 6 vite e 6 muaj burg nga Gjykata e Posaçme. Ai akuzohej se kishte gisht në tjetërsimin e pronave në Shëngjin, bashkë me një numër të madh zyrtarësh të Lezhës.
Sot, Bledar Cara është dënuar me burg për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i formularëve, vulave ose stampave” dhe “Shpërdorimi i tokës”, të kryera në bashkëpunim.
Dy vite më parë për këtë skemë të madhe të tjetërsimit të 234,548 m2 tokë shtetërore në Shëngjin, u prangos dhe ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj. Tokat ishin mal dhe ranishte, por në shkresa ishin konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”.
SI FUNKSIONONTE SKEMA:
Sipas hetimeve, praktikat dokumentare të dërguara nga Bashkia Lezhë në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, përmbanin aktin e marrjes së tokës në pronësi, vërtetimet e kufizimeve, konfirmimet e pasurisë, planet e rilevimit, të cilat ishin të falsifikuara dhe ishin përpiluar në emër të personave, të cilët nuk kanë qenë dhe nuk janë banorë të Fshatit Mali i Rencit.
Nga ana e Bashkisë Lezhë dhe e Këshillit të Qarkut Lezhë, nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare pavarësisht se në realitet janë mal dhe ranishte janë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”.
Drejtuesit e Bashkisë Lezhë, duke i paraqitur si tokë bujqësore, kanë dërguar edhe një vendim të falsifikuar në emër të Këshillit të Qarkut Lezhë, si dhe personat e sipërcituar përvetësues të këtyre pronave, janë trajtuar me parë me tokë sipas ligjit 7051 dhe disa nuk janë banorë të zonës.
Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurisë se Paluajtshme Lezhë, pasi ka administruar dokumentacionin, gjatë analizimit të dokumentacionit të pajisjes me tokë të shtetasve të sipërcituar, ka konstatuar se sipërfaqet e pasurive nuk janë tokë bujqësore por janë tokë pyll dhe ranishte.
ZVRPP-ja ka kërkuar konfirmim për dokumentacionin e dërguar nga Bashkia Lezhë, me shkresa përkatëse nga Bashkia dhe Këshilli i Qarkut Lezhë.
Bashkia dhe Këshilli i Qarkut Lezhë, i kanë kthyer përgjigje zyrtare ZVRPP-së Lezhë, ku rikonfirmohet zyrtarisht se pasuritë janë të llojit arë dhe pemtore.
Pas marrjes së përgjigjeve nga ana e Bashkise dhe Këshillit të Qarkut Lezhë, punonjësit e ZVRPP-së Lezhë, kanë proceduar me regjistrimin e këtyre pasurive, ku sipas dispozitave ligjore të Ligjit 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”, si dhe akteve ligjore e nënligjore të dala në zbatim të tij, nga ana e tyre nuk duhej të procedohej me regjistrimin e këtyre pasurive.
Pas regjistrimit të këtyre pasurive në Zyrën Vendore të Pasurive të Paluajtshme Lezhe, në një kohë shumë të shkurtër, përfituesit e paligjshëm, e kanë tjetërsuar pronësinë, duke e shitur me çmime simbolike në emër të personave të tjerë apo edhe të lidhjeve të tyre familjare, sipas kontratave te bllokuara.
Personat përgjegjës për përpilimin e këtyre praktikave të regjistrimit të pasurive në emër të personave përfitues janë ish-specialisti i zyrës së kadastrës, ish-shefja e kadastrës ish-Kryetari i Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kundërshtim të plotë me kërkesat e ligjit 7501, si dhe akteve ligjore e nënligjore të dala në zbatim të tij kanë administruar, konfirmuar dhe dërguar për regjistrim dokumentacion të falsifikuar në përmbajtje dhe formë
për pasuri që janë në fakt toke pyll, ranishte, shkurre, shkëmb, dhe jo tokë buqësore.
Nga ana e Këshillit të Qarkut Lezhë janë konfirmuar me shkresë se pasuritë e sipërcituara janë të llojit pemtore, ndërkohë që në fakt sipas akt ekspertimi topografik është tokë pyll, ranishte, shkurre dhe shkëmb.