Tre oficerë policie dhe shefi i tyre u dërguan në prokurorin publik të akuzuar për torturë dhe fyerje të dinjitetit njerëzor pas ankesës së një të dënuari shqiptar.
Sipas informacioneve, shqiptari, i cili vuan dënimin me burg për drogë dhe grabitje, është ankuar në polici se teksa ndodhej në kafazin e transfertave nga Selaniku në Korydallos , e kanë goditur në kokë, ndërsa ai i ka kërkuar ujë gjatë rrugës dhe nuk ia dhanë.
Ai u ankua gjithashtu se kur mbërriti në Korydallos i vendosën një helmetë në mënyrë që të mos shiheshin goditjet në kokë. Brenda kafazit ndodheshin njëmbëdhjetë të burgosur të cilët gjithashtu dëshmojnë se policia e ka rrahur të dënuarin shqiptar, ndërsa për kaskën pretendojnë se ai e mbante pasi tentonte ta godiste vetë kokën në kafaz.
Mirëpo, kur ka mbërritur në Korydallos, një roje burgu ka pikasur shenjat në kokën e të burgosurit dhe ka njoftuar EL.AS-in i cili ka bërë arrestimin e katër policëve.