Sot në Gjykatën e Fierit, jepet “ masa e sigurisë” për Shpëtim Kalemin, një prej autorëve të dyshuar për trafikim të veprave të artit dhe kulturës në kuadër të operacionit “ Vlera” të finalizuar dy ditë më parë. Shpëtim Kalemi është banor i komunitetit rom në fshatin Drizë ndërkohë që menjëherë pas deklaratës së Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier , Lorenc Panganika, në ambientet e jashtme të komisariatit , pjesëtarë të këtij komuniteti kanë protestuar duke kundërshtuar me force arrestimin e tij të cilin e konsiderojnë padrejtësi.

Kryeplaku i fshatit Drizë Panajot Alushi në një prononcim për mediat tha se personi i arrestuar nuk ka lidhje me trafikimin e veprave të artit duke pohuar se bëhet fjalë për gjëra të vjetra me vlerë të ulët të cilat Kalemi i shet në treg për të siguruar kafshatën e gojës. Ndër të tjera Alushi ka theksuar se Shpëtim Kalemi ka kaluar doganën greke dhe atë shqiptare pa u ndaluar teksa ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të ekspertizës ti vlerësojnë veprat e sekuestruara. Policia ndërkohë në njohtimin e saj zyrtar bëri të ditur se sendet e sekuestruara kapnin vlerën 1.5 milionë euro. Gjyqtarë e çështjes është Miranda Nakaj ndërkohë që Kalemi ka mbërritur tashmë në gjykatë për tu paraqitur përballë togave të zeza.