“Vaksina anti-Covid” është kryefjala e ditës në të gjithë rruzullin tokësor.

“Open Data Albania” ka hulumtuar së fundmi çmimet e një doze vaksine kundër virusit famëkeq që ka pushtuar botën.

Artikulli synon të informojë mbi variancën dhe diferencat e çmimeve sipas vaksinës së zhvilluar dhe sipas vendit/kontinentit. Sipas të dhënave janë 22 vaksina që janë miratuar për përdorim të paktën nga një vend ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetit ka njohur shtatë vaksinat në Listën e Përdorimit Emergjent, e konkretisht AstraZeneca-Vaxzevria; SII-Covishield; Janssen Ad26.COV2.S; Moderna mRNA1273; Pfizer/BionTech-Comimaty; Sinophar (Pekin)-BBPIBP; Sinovac-CoronaVac.

Nga të dhënat e UNICEF bëhet me dije që një vaksinë kushton nga 2 deri në 37 dollarë, ku vaksina më e lirë në treg është ajo britanike e “Astra Zenicas”, ndërsa me çmimin më të lartë është tregtuar Moderna.
Vaksinat janë tregtuar me çmime të ndryshme në vende apo kontinente të ndryshme. Nëse llogarisim një mesatare çmimi jo sipas sasisë por sipas çmimit në vende ku është tregtuar më shumë, rezulton që nga shtatë vaksinat e njohura për përdorim emergjent nga OBSH Moderna mRNA1273 dhe Sinopharm (Pekin)-BBPIBP janë më të shtrenjtat. Asnjëra prej tyre nuk ka hyrë në vendin tonë. Pas vjen po kinezja Sinovac – CoronaVac me çmim mesatar për vendet kryesore ku është tregtuar rreth 17.85 USD. Kjo vaksinë është blerë edhe nga Shteti ynë, me kontratë sekrete pa të dhëna për çmimin dhe pagesën, detaje që janë zbardhur me Vendim të Këshillit të Ministrave që Autorizon Transaksionet.
Për shtatë vaksinat e miratuara nga OBSH për përdorim emergjent, çmimet janë si më poshtë: AstraZeneca, rezulton të jetë tregtuar me çmimin më të ulët, konkretisht për Komisionin Evropian është shitur 2.19 USD doza.

Ndërsa çmimi më i lartë i tregtimit të kësaj vaksinë ka rezultuar me Filipinet 5USD. Çmimi mesatar i një doze vaksine është 3.69 USD. Konstatohet se përveç prodhimit nga kompania zhvilluese Astrazeneca, i është dhënë eskluzivitet për prodhim dhe institutit brazilian Fiocruz, e cila ka tregtuar në vend me çmim 3.16 USD një dozë. Kjo vaksinë ka hyrë edhe në Shqipëri përmes Marrëveshjes për lehtësira COVAX.

Vaksina Pfizer/BioNTtech-Comirnaty, rezulton të jetë tregtuar me çmimin më të ulët për vendet Afrikane më pak se 7 USD, ndërsa çmimi më i lartë deri tani ka qenë 23.15 USD për dozë, tregtuar Komisionit Evropian (KE).

Megjithatë ky nuk është çmimi i vetëm që i është ofruar KE-së, deri tani rezultojnë çmime të diferencuar nga 14.7 deri 23.15 USD për Komisionin Evropian. Ndërkohë SHBA-të e kanë blerë një dozë rreth 19.5$. Kjo vaksinë është siguruar nga shteti shqiptar përmes dy marrëveshjeve me kompani prodhim tregtim konkretisht me Pfizer Export BV dhe tjetra me Pfizer Overseas LLC .

Të dyja këto marrëveshje janë konsideruar sekrete nga autoriteti shqiptar por në databazën OpenProcurement Albania, tenderime Covid 19 janë vendosur me kujdes të gjitha dokumentet qeveritare që zbardhin planifikime buxhetore dhe shpenzime për këtë lloj Kontraktimi.

Vaksina SII-Covishield, është tregtuar me çmimin më të ulët në vendin e origjinës Indi me çmimin 2.88$. Çmimi më i lartë për tregtimin e kësaj vaksine shënohet në Bangladesh në tregje private. Çmimi mesatar rezulton 4.8$.

Vaksina Sinopharm (Pekin)- BBIBP-CorV renditet në vaksinat me çmim relativisht të lartë. Çmimi mesatar rezulton rreth 23.6$. Sipas të dhënave të disponueshme, deri tani rezulton që çmimi më i ulët i shitjes ka qenë 15$, tregtuar në Argjentinë dhe në Mongoli. Ndërsa çmimi më i lartë është në Hungari përkatësisht 36$.

Vaksina Sinovac-Coronavac, vaksina kineze e cila është njohur së fundmi nga OBSH për përdorim emergjent në Qershor 2021, është tregtuar më çmimin më të ulët në Kamboxhia, 10$ për një dozë. Ndërsa çmimi më i lartë i shitjes shënohet 32.5$ me tregje private në Tailandë. Kjo vaksinë është blerë edhe nga Shteti Shqiptar përmes tregtarit turk Keymen Ilac Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi.

Vaksina Johnsson Ad26 cov2S nga Janssen, rezulton të jetë shitur me çmim më të ulët për Komisionin Evropian, 8.5$ për doze, ndërsa SHBA dhe unioni Afrikan e kanë blerë dozën me 10$. Vaksinimi i plotë me këtë vaksinë, ndryshe nga të tjerat, përfshin vetëm një dozë.

Vaksina Moderna, e cila rezulton me çmimin më të lartë deri tani, është tregtuar me çmimin më të ulët në marrëveshjen me SHBA për 15USD doza, ndërsa çmimi më i lartë 37 USD po për vendet e SHBA-së, por nëpërmjet marrëveshje me organizatën shëndetësore siç është mekanizmi HICs Hospital Incident Command System.

Përveç vaksinave të njohura nga OBSH si më lart, vaksina të tjera të miratuara të paktën nga një vend dhe të përhapura gjerësisht, janë tregtuar me çmime të ndryshme që variojnë si vijon:

Vaksina Covaxin -Bharat Biotech është tregtuar me çmimin më të ulët në vendin e origjinës në Indi përkatësisht 3$ dhe me çmimin më i lartë deri tani është 35 $ tregtuar në tregjet private në Nepal. Vaksina ruse Sputnik V, prodhuar nga Instituti i Kërkimit Gamaleya është tregtuar me çmimin më të ulët në Argjentinë 9.95$ dhe me çmimin më të lartë në tregje private të Pakistanit, përkatësisht 27$. Përveç institutit zhvillues, në pamundësi të furnizimit me dozat e kërkuara, kjo vaksinë po prodhohet nga laboratorë të tjerë që kanë marrë eskluzivitetin e prodhimit, si Shilpa Biologicals, apo Uniao Quimica Farmaceutica National, kjo e fundit rezulton ta ketë tregtuar vaksinën Sputnik me një çmim më të ulët, konkretisht 3$ për doze në Amerikën Latine. Një tjetër vaksinë kineze, CaNsino, është tregtuar me çmim 27.15$ në tregje private të Pakistanit. Vaksina Curevac i është tregtuar me çmim 11.8$ Komisionit Evropian. Vaksina Covovax, një tjetër vaksinë e prodhuar po nga Serume Institute of India, që ka zhvilluar dhe vaksinën SII-Covishield, është tregtuar nëpërmjet facilitetit COVAX AMC me çmim 3$ për dozë. Vaksina Nano Covax, është tregtuar në Vietnam me çmimin 5.19$.

Në Shqipëri janë administruar katër lloj vaksinash deri tani për të parandaluar sëmundjen COVID- 19 si BioNTech Pfizer; CoronaVac; Oxford, AstraZeneca dhe Sputnik V. Deri në datë 27 Gusht 2021 kanë mbërritur në Shqipëri rreth një milion e nëntë qind mijë (1,899,172) doza vaksine anticovid. Nga këto, rreth 550 mijë doza janë nga vaksina Pfizer, 320 mijë nga vaksina AstraZeneca, 50 mijë doza vaksine Sputnik V, dhe mbizotëron Sinovac-Coronavac me 900 mijë doza. Deri në 31 gusht 2021 në Shqipëri janë vaksinuar 22% e popullsisë.

Sipas platformës OWID, deri në datë 15 Gusht 2021, janë raportuar rreth 4.72 miliardë doza vaksina në të gjithë boten. Numri më i lartë i dozave të administruara, rreth 65% e totalit ose 3.08 miliardë doza është administruar në Kontinentin Aziatik, ku gjendet dhe pjesa më e madhe e popullsisë afro 4 miliardë banor. Në rang global janë vaksinuar plotësisht rreth 1.84 miliardë njerëz ose 23.6% e popullsisë së botes. Sipas të dhënave të raportuar mbi administrimin e vaksinave, rezulton se vaksinat janë siguruar nëpërmjet mekanizmave ndërkombëtare, marrëveshjeve qeveritare të vendeve të ndryshme; dhe nëpërmjet tregjeve private të një vendi.