Deputeti demokrat Tritan Shehu ka paraqitur sot në Kuvend një kërkesë për mbajtjen e një rezolute për qëndrimin e Shqipërisë për luftën në Ukrainë.

Ai deklaroi se Kuvendi po hesht për çështjen e Ukrainës duke e cilësuar këtë një gabim trashanik të mazhorancës. Sipas tij qëndrimi për këtë situatë duhet të nisë që me daljen nga Ballkani i Hapur.

“Ne 7 deputetë kemi paraqitur përsëri kërkesën për një rezolutë dhe masat që duhen marrë duke filluar që nga largimi nga Ballkani i Hapur. Duhet të vëmë para publikut shqiptar në plan të parë këtë ngjarje. Kjo është çështje prioritare”, tha Shehu.

Ai u pyet nga gazetarët edhe për takimin e ambasadores amerikane Yuri Kim me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj në selinë e PD. Shehu theksoi se këto janë çështje sekondare në këtë moment që vlejnë për t’u diskutuar në një kohë të dytë.

“Nuk dua të hapem në lajme të tjera që me duken sekondare në këtë moment. Ka kohë edhe ajo çështje për t’u diskutuar. Sot kam ardhur këtu të paraqes rezolutën.

Nuk dua të ndalem në elementë të tjerë që për mua në këtë moment janë sekondare. I rëndësishëm është qëndrimi i Shqipërisë. Gabimet trashanike që po bën kjo maxhorancë për të shuar këtë diskutim në Kuvendin shqiptar”, deklaroi ai.