Teksa protestuesit janë zhvendosur nga sheshi “Skënderbej” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, thirrjet për dorëheqjen e Edi Ramës, nuk kanë reshtur as sot.
Protestuesit e kanë etiketuar kryeministrin Edi Rama si tradhtar.
Ndërsa aktivistja Sidorela Vatnikaj në fjalën e saj në podiumin para Kryeministrisë deklaroi se ajo është në këtë protestë për një Shqipëri dhe drejtësi të re. Vatnikaj i bëri apel SPAK-ut të marrë kryeministrin Rama nën hetim për korrupsionin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të PS-së, sidomos Belinda Ballukut.
Aktivistja bëri përgjegjëse qeverinë për largimin e të rinjve dhe për rritjen e kriminalitetit mes tyre.
“Është shumë bukur të vish në protestë, në solidaritet dhe të thuash të vërtëtën tënde. Ju kërkoj të mos bini pre e provokimeve, çlirohuni nga një regjim që na kërcënon me bukën e gojës.
Janë thënë shumë mesazhe, por sot jam këtu për tim vëlla që nga një student ekselent punon si punëtor në New York, jam për shokët e mi që i kriminalizuat, për ata që duhet të bëhen idiotë funksionalë e të mbledhin vota për një punë në shtet, jam këtu që në maternitete të mos vdesin gratë shtatzëna, që mos na vdesin më punëtorë dhe të mos marrin as shpërblimin.
Drejtësia të marrë nën hetim Edi Ramën për korrupsionin e Belinda Ballukut, Erion Veliajt dhe Arben Ahmetajt. Ata s’kanë zgjedhur vetëm. Hetim, hetim, hetim.
Për qytetet, malet, plazhet nuk vendosin 5 oligarkë, por të gjithë ne”, deklaroi ajo.






