Erion Murataj PSD

Dy ngjarje të rënda janë raportuar ditën e djeshme në Tiranë teksa një 54-vjeçar është hedhur nga kati i 9-të i pallatit ku banonte, ndërsa një tjetër ka kërcënuar se do të hidhet nga Piramida në gjendje të rënduar psikologjike.

54-vjeçari me iniciale O. L., është hedhur nga kati i 9-të i pallatit ku banon në rrugën “Hamdi Sulçebe” në kryeqytet. Shtetasi është dërguar menjëherë drejt qendrës spitalore për të marrë ndihmë mjekësore ndërsa nuk dihet sesi është gjendja e tij shëndetësore.

“Në rrugën ‘Hamdi Sulçebe’, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i nëntë i pallatit ku banonte, shtetasi O. L., 54 vjeç, i cili aktualisht është në kujdesin e mjekëve. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë një 42-vjeçar në gjendje të rënduar shëndetësore ka tentuar të hidhet nga Piramida e Tiranës. Pas negociatave me shërbimet e policisë, 42-vjeçari ka zbritur nga lartësia dhe është shoqëruar drejt qendrës spitalore.

“Shtetasi A. G., 42 vjeç, dyshohet se, duke qenë në gjendje të rënduar psikologjike, ka tentuar të hidhet nga Piramida në Tiranë. Pas negociatave me shërbimet e Policisë, ky shtetas është zbritur nga lartësia dhe është transportuar për ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftimin e policisë.