Policia ka zbuluar detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar në Portin e Durrësit, ku u sekuestruan një armë zjarri snajper, një pistoletë, një armë gjahu dhe municion luftarak.

Armët u gjendën gjatë kontrollit në vijën e dytë të një automjeti tip “Land Rover” në pronësi të një shtetasi 53-vjeçar nga Kosova.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, bazuar në analizën e rriskut dhe inteligjencën informative për një shtetas që kishte me vete armë zjarri dhe do të hynte në Shqipëri, organizuan dhe finalizuan, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, operacionin policor të koduar “Snajperi”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. L., 53 vjeç, banues në Zvicër.

Shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë në hyrje të RSH, 53 vjeçarin së bashku me automjetin e tij tip “Land Rover” dhe gjatë kontrollit, Policia gjeti të fshehura, në brendësi të makinës një armë zjarri pistoletë, një snajper, një armë gjahu, 1367 copë fishekë luftarak dhe 800 copë fishekë për armë gjahu, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.