DVP Elbasan çon në pranga një 24-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë mbrëmjes në lagjen Vullnetari në qytetin e Elbasanit ku pas një përplasje fizike një person ka mbetur I lënduar dhe në gjendje të rëndë shëndetësore. Shtetasi Ardian Qosja , 41 vjeç, pas një konflikti fizik të çastit me shtetasin Bernardo Kasriu është rrëzuar në shkallët e lokalit ku ndodhej së bashku me Kasriun e për pasojë ka marrë plagë të rënda në pjesën e kokës. Menjëherë pas ngjarjes 24-vjeçari Bernardo Kasriu është larguar nga vendi i ngjarjes por në pak kohë është neutralizuar nga policia e Elbasanit dhe është vendosur nën pranga.

 Në komunikatën zyrtare DVP Elbasan konfirmoi se ka shoqëruar autorin e ngjarjes që falë reagimit në kohë, kontrolleve intensive, krehjes së zonës dhe marrjes së informacioneve në rrugë operative, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit të dyshuar të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Benardo Kasriu  24 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

 Ky shtetas për motive të dobëta, gjatë një konflikti fizik të çastit, rrëzoi në shkallë shtetasin Ardian Qosja , duke i shkaktuar plagë të rënda, i cili ndodhet në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar mjekësore. Ende nuk dihet se cili ishte motivi që çoi në konflikt dy shtetasit ndërkohë nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.