Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, më 14 shtator do të bëjë vizitën e fundit si kancelare jashtë shtetit. Ajo ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë për të takuar liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Iniciativa e nisur nga Merkel dhe e pagëzuar si “Procesi i Berlinit” është ndërmarrja dhe suksesi më i madh i kancelares, e cila tashmë po afron dy dekada në pushtet.
Ky takim në Tiranë është edhe një tentativë e fundit që Merkel t’i japë një shtytje partisë së saj, Unionit Kristian-Demokratik (CDU), në zgjedhjet që pritet të mbahen më 26 shtator.
Veç kësaj, burimet thonë se është zgjedhur Tirana, si notë falënderuese e Merkel-it për qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama, si lideri më aktiv dhe influencues në shtyrjen përpara të synimeve të Procesit.
Merkel e ka vlerësuar në vazhdimësi rolin që ka luajtur Rama dhe kabineti i tij në zvogëlimin e armiqësive në Ballkan dhe relaksimin e raporteve, deri te normalizimi i komunikimit.
“Berlini zyrtar konsideron se Tirana dhe Rama për këto vite kanë relaksuar marrëdhëniet e vendeve të Ballkanit, veçanërisht me vizitat e ndërsjella në Tiranë dhe Beograd, të cilat ishin në fillim me armiqësi, por më pas me tone të relaksuara”, ka thënë burimi për AP.
Në këtë vizitë, Merkel do të takojë të gjithë liderët e shteteve ballkanike, me përjashtim të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç (takimet bëhen në nivel kryeministrash).
Kancelarja, pas takimeve, për të përcjellë mesazhin e saj, do të mbajë edhe një konferencë për media.
Takimin e fundit, ajo pritet ta ketë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku temë diskutimi do të jenë rrugëtimi në procesin e Berlinit dhe agjenda gjermane në Ballkan.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit, i filluar në vitin 2014 me iniciativën personale të Angel Merkel-it, u shndërrua në arritjen kryesore në politikën e jashtme të kancelares.
Konsiderohet si një nga sukseset në zbehjen e ndasive historike dhe pajtimin e përgjithshëm për një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh komplikimet e raporteve ndërshtetërore në Ballkan.
Procesi pat filluar me objektiva konkrete, por modeste, siç ishte lehtësimi i bashkëpunimit rajonal në mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (WB6) – Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – por me vizionin që t’iu ndihmohet në përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE).
Komponenti i tij më i rëndësishëm është e ashtuquajtura “Agjenda e Konektivitetit”, e cila fillimisht synonte që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i lidhë mes vete në fushat e transportit dhe energjisë, dhe më vonë kjo lidhje të zgjerohet edhe në shkëmbimin për rininë dhe në bashkëpunimin ekonomik.
Samitet e mbajtura në kryeqendrat e Evropës ndihmuan në vendosjen e komunikimit ndërmjet liderëve të Ballkanit, si dhe në dizajnimin e disa projekteve infrastrukturore dhe të iniciativave rajonale.
Projektet e miratuara për secilin shtet të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor financohen pjesërisht nga mekanizmat e BE-së dhe pjesërisht nga vetë këto shtete.
Agjenda e Konektivitetit kombinon politikat dhe infrastrukturën, duke ndërlidhur kështu shtetet ndërmjet vete dhe me BE-në.
Për shkak të Procesit të Berlinit, qeveritë kanë vendosur një rrjet gjithëpërfshirës rajonal të infrastrukturës, duke e bërë kështu Ballkanin Perëndimor pjesë të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T).
Gjithashtu, Procesi i Berlinit ka gjeneruar edhe iniciativa të lidhjeve rajonale, siç janë bashkëpunimi në energji, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO), krijimi i një Zone Ekonomike Rajonale dhe nënshkrimi i Traktatit të Komunitetit të Transportit.
Megjithatë, suksesi i iniciativës së nisur me Procesin e Berlinit varet nga përmirësimi i marrëdhënieve në mes vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Prandaj, në vitin 2015, qeveritë kanë aprovuar një Deklaratë për Bashkëpunim Rajonal dhe për Zgjidhjen e Çështjeve Bilaterale.
Dhe pikërisht në këtë qëllim kryesor të procesit, në Berlin përgëzojnë Ramën për luajtjen e rolit kryesor me ndërmjetësimet e tij për rregullim raportesh dhe krijimin e sensit të përgjithshëm se rrugëtimi bëhet vetëm me një akord të përbashkët rajonal.
Gjermania, por edhe vetë Merkel e kanë pasur të rëndësishëm suksesin e një nisme të tillë, meqë kjo përbën herën e parë kur ky shtet merr përsipër një proces kaq të rëndësishëm të negocimit të shteteve të Ballkanit.
Gjermania, po ashtu, e kishte bërë vetën aktore të rëndësishme në arenën ndërkombëtare kur mori pjesë me ushtrinë e vet në kuadër të KFOR-it, në vendosjen e trupave në Kosovë, veprim i parë ushtarak ky i Gjermanisë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.
Ishte pastaj Merkel që e dinamizoi politikën e jashtme gjermane, duke e kthyer atë në një politikë shumë aktive edhe në Ballkan, e cila vrojtohej dhe këshillohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e tjera në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.