Rreth 350 mijë njerëz gjenden të bllokuar në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol, i cili  është rrethuar nga trupat ruse që nga 1 marsi, tha një zyrtar lokal.

“350,000 banorë kanë ngecur në Mariupol”, tha Petro Andriushchenko, këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, në televizionin ukrainas.

Përpjekjet e shumta zyrtare për të krijuar korridore të sigurta dhe për të evakuuar civilët nga Mariupol kanë dështuar ditët e fundit. Sipas zyrtarëve, një kolonë e madhe e ndihmave humanitare që ishte menduar të mbërrinte të dielën nuk ka arritur ende në qytet që nga e hëna.

“Shumica e njerëzve po qëndrojnë në bodrume dhe strehimore në kushte çnjerëzore. Pa ushqim, pa ujë, pa rrymë, pa ngrohje”, tha ai, duke shtuar se njerëzit po shkrinin dëborën dhe po çmontonin sistemin e ngrohjes për të pirë ujë.

Duke folur për viktimat civile, Andriushchenko tha se numrat e marrë nga policia dhe të përpiluara nga institucionet mjekësore ishin të pasakta. Ai tha se, që nga e diela, 1,800 njerëz u konfirmuan se ishin vrarë.

Duke folur të hënën, Oleksiy Arestovych, një këshilltar në zyrën e Presidentit Volodymyr Zelensky, tha se bombardimet ruse të Mariupolit kanë shkaktuar më shumë se 2,500 vdekje./abcnews.al/